NATO-ja gjen zbrazëti në sigurinë e Evropës
Lufta në Ukrainë dhe zgjedhjet presidenciale të SHBA-së e dominuan Samitin e NATO-s në Washington këtë muaj, por planifikuesit e ushtrisë së aleancës kanë qenë të fokusuar në vlerësimin e kostos së lartë për rregullimin e mbrojtjes së Evropës.
Liderët e NATO-s pranuan planet vitin e kaluar për rinovimin më të madh të aftësive mbrojtëse në tre dekada, raporton “Reuters”.
Zyrtarët kanë plotësuar kërkesat minimale të mbrojtjes për t’i arritur këto plane, që iu dërguan qeverive kombëtare gjatë javëve të fundit, sipas një planifikuesi ushtarak, që ka folur në kushte anonimiteti.
Kërkesat minimale detajojnë mangësitë e ushtrive të NATO-s në fushat kryesore, duke llogaritur sa miliardë dollarë mund t’u kushtojë ta rregullojnë, tha planifikuesi ushtarak. NATO-ja synon t’i shndërrojë këto kërkesa në objektiva detyruese për qeveritë individuale, që ta sigurojë kështu mbrojtjen e Evropës deri në vjeshtë të vitit 2025, kur mban takimin e rregullt të ministrave të mbrojtjes.
Reuters ka intervistuar 12 zyrtarë ushtarakë dhe civilë në Evropë për planet e klasifikuara, ku është identifikuar se gjashtë nga fushat e aleancës kanë nevojë të adresohen shpejt.
Këto përfshijnë mungesën e mbrojtjes ajrore dhe raketat me rreze të gjatë, trupa, municion, problemet logjistike dhe mungesa e komunikimeve të sigurta digjitale në fushëbetejë, sipas zyrtarëve të NATO-s. NATO-ja nuk e ka vlerësuar akoma koston.
Zgjedhjet presidenciale të SHBA-së kanë rritur shqetësimet se fuqia kryesore e NATO-s mund të udhëhiqet nga një burrë, i cili është kritik i aleancës – ish-presidenti Donald Trump – dhe ka akuzuar partnerët evropian se kanë përfituar nga mbështetje ushtarake e NATO-s.
Në samitin e Washingtonit, disa ligjbërës evropianë publikisht kanë vënë në dukje se, pavarësisht fituesit të zgjedhjeve të nëntorit, kontinenti ka nevojë t’i rrisë shpenzimet ushtarake.
Rruga Press