Bota

NATO i tregon muskujt Rusisë, nisin “lojërat më të mëdha të luftës”

Janë cilësuar si “lojërat më të mëdha të luftës” në dekada. Bëhet fjalë për stërvitjen e re ushtarake të NATO-s, që do të nisë javën e ardhshme dhe do të përfshijë 90 mijë trupa, mes te cilëve edhe nga Suedia që ende nuk i është bashkuar aleancës.

Operacioni i pagëzuar si “Steadfast Defender 2024” ose “Mbrojtja e Palëkundur” do të të zgjasë disa muaj dhe synon të tregojë se NATO është në gjendje të mbrojë të gjithë territorin e vet nga agresioni i mundshëm i Rusisë. Këtë e tha Komandanti i Lartë i Aleancës për Europën, Christopher Cavoli.

Lexo më shumë  ShBA-ja heq përkohësisht sanksionet ndaj naftës ruse

“Këto do të jenë stërvitjet më të mëdha të NATO-s në dekada dhe do të simulojnë një skenar konflikti kundër një kundërshtari të afërt. Operacioni do të tregojë aftësinë e aleancës për të përforcuar zonën Euro-Atlantike, përmes lëvizjes së forcave nga Amerika e Veriut”, tha Christopher Cavoli, Komandant i Lartë për Europën.

Deklarata sugjeron se një numër i madh forcash amerikane do të stacionohen në kontinentin e vjetër për stërvitjet. Cavoli tha se operacioni do të tregojë unitetin, forcën dhe vendosmërinë e aleatëve për të mbrojtur njëri-tjetrin. Të paktën 1100 mjete luftarake do të marrin pjesë në lojërat e luftës, përfshirë 133 tanke dhe mjetë luftarake të këmbësorisë, bashkë me 50 anije, nga aeroplambajtëset te bombarduesit.

Lexo më shumë  “Ndoshta në prill-maj”: Gjenerali polak paralajmëron se Rusia mund të bëjë së shpejti një provokim kundër një vendi të NATO-s

Atyre do t’i bashkohen 80 helikopterë, dronë dhe avionë lufte. Njoftimi vjen teksa lufta ruse në Ukrainë ka ngecur në një pikë të vdekur. NATO, si organizatë nuk është e përfshirë direkt në konflikt, por një sërë shtetesh anëtare e kanë mbështetur Kievin me armatime. Moska prej dekadash ka shprehur shqetësimin për zgjerimin e NATO-s drejt kufijve të saj, duke e konsideruar këtë si një kërcënim ekzistencial. 

Rruga Press

YouTube player