Nagavci: 81 mijë aplikuesit e parë, paratë e librave i marrin sot
Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), Arbërie Nagavci ka njoftuar të gjithë prindërit të cilët kanë aplikuar deri më 29 gusht për subvencionim të librave, se paratë janë proceduar dhe dalin sot, ndërsa për të tjerët dalin ditëve në vijim. Ajo njoftoi se deri sot janë pranuar 115 mijë aplikime për subvencionim librash.
“Sot kemi përfunduar procedurat e pagesës për grupin e parë të aplikuesve që kanë aplikuar deri më datë 29 gusht për furnizim me tekste shkollore dhe materiale mësimore e që janë mbi 81 mijë përfitues. Numri i tërësishëm i aplikimeve deri tani është mbi 115 mijë dhe pjesa e mbetur do të trajtohen me grupin e radhës”, njofton Nagavci në Facebook.
Nga të gjitha këto aplikime, sipas saj, janë identifikuar vetëm 75 raste me gabime për të cilat prindërit, siç tha Nagavci, do të njoftohen për rishikimet e nevojshme.
“Sikurse kemi njoftuar edhe më herët, aplikimi do të jetë i hapur gjatë gjithë muajit shtator në mënyrë që të sigurohemi që asnjë nxënës për çfarëdo arsye të mos mbetet pa tekste shkollore. Ju sigurojmë se çdo rast i adresuar do të trajtohet me prioritet dhe do të ofrohet ndihma e nevojshme për aplikim dhe përfitim të këtyre mjeteve”, ka shkruar Nagavci.
Rruga Press