“Na fali tërmeti, nuk po na fal pushteti”, punimet pranë pallatit të dëmtuar në Durrës
Ditën e sotme banorët në lagjen 13 të qytetit të Durrësit kanë denoncuar për Fax News faktin se në oborrin e pallatit të tyre po ndërtohet një pallat tjetër ekzistues.
Ata thonë se pallati ku jetojnë është dëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit dhe ka dëmtim të shkallës së thelluar DS3, ndërkohë qe një firmë ndërtuese fillon punimet për ndërtimin e një të riu pa njoftuar askënd dhe dridhjet e shkaktuara rrezikojnë jetët e tyre.
Për rastin banorët kanë bërë kallëzim civil edhe në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Durrës edhe në Prokurori që në vitin 2019.
Leja për ndërtim nga firma ndërtuese “Jedas Sh.p.k” është marrë përpara tërmetit të 26 nëntorit.
“Unë jam banor i pallatit dhe problemi fillon se ne e kemi hipotekuar, nuk jemi kundër zhvillimit urbnistik por që me 26 nëntor kur ky pallat u ndërtua dhe kur erdhën ekspertët thanë se dëmtimi është kryer nga shtesat e pallatit sipër.
Prisnim nga Bashkia që ta rindërtonte ndërkohe ka një pallat tjetër që po bëhet, do na marrë në qafe me këtë gjë. Na fali tërmeti por spo na falin këta të pushtetit“-tha një nga banorët.
“Jemi 12 familje, janë dhe disa hyrje të pronares, këtu nuk ka sipërfaqe për 306 metra ndërtim pallat dhe këto themele do na shkatërrojnë. Shkojmë në prokurori dhe bashki dhe procesi akoma vazhdon, gjendja është alarmante.
Ne informacion për këtë nuk kemi fare, si është marrë kjo leje ndërtimi nuk e dimë. Akoma po gërmojnë dhe shih si dridhet toka”-u shpreh një tjetër.
“Askush nuk ka ardhur për inspektim, të gjithë na thonë ne kemi punë me ndërtimin e pallatit të ri jo me ju. Shkallët janë të dëmtuara, ashensorët dhe kollonat. Akoma nuk binden që kjo gjë merr jetën dhe vazhdojnë e mbajnë mendjen vec te lekët. Ai mund të jetë në rregull për vete por mua vjen dhe më zë dritën e diellit këtu vec të tjerash.
Cdo gjë dhe legalizimi po merret me gënjeshtra e ryshfete. E morëm shumë shtrenjtë hyrjen vetëm për shkak të hapësirës tani na doli kjo situatë. Jo më larg se dje avokati jonë ka dërguar dosjen në prokurori dhe nuk merret asnjë masë, e pronat këtu janë akoma nën hetim thonë”-përfunduan banorët.
Rruga Press