Lajme

Mustafi për referendumin serb: Shqiptarët e Luginës janë të pa interesuar për ndryshimet kozmetike

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginën e Preshevës, Ragmi Mustafi, ka thënë se shqiptarët e Luginës ishin të pa interesuar për ndryshimet që kanë ndodhur në kushtetutën e Serbisë, me referendumin e djeshëm, duke i quajtur ato si ndryshime kozmetike.

“Shqiptarët e Luginës janë të pa interesuar për këto ndryshime kozmetike, sepse nuk e heq qoftë Kosovën nga kushtetuta, qoftë që krijon një hapësirë për të qenë më të barabartë e për ta definuar Serbinë si një shtet qytetar”, ka thënë Mustafi për Info Magazine.

Ai tha se shqiptarët atje kishin pritur ndryshime substanciale, e jo që Serbia prapë të prezatohej si shtet i shumicës dhe të linte në rend të dytë popujt jo shumicë.

Lexo më shumë  “Vuçiqi u tensionua kur na pa dhe si i pafytyrë doli nga salla”, Vasfije Krasniqi flet pas mbledhjes në KS të OKB-së

“Shqiptarët e Luginës së Preshevës kanë pritur që të kishte ndryshime substanciale të kushtetutës dhe jo që kushtetuta edhe më tej të prezantonte Serbinë si shtet i shumicës duke përjashtuar popullin jo shumicë, përkatësisht duke i vendosur si qytetarë të rendit të dytë e aq më tepër këto ndryshime kushtetuese jo që krijohet hapësirë më e madhe për të ushtruar liri, drejtësi e barazi”, ka shtuar Mustafi.

Ai theksoi se moslejimi i referendumit në Kosovë ishte i drejtë.

Mustafi tha se paralajmërimet e presidentit e kryeministres së Serbisë janë të frikshme, ato, sipas tij, mund t’i përsërisin situatat e mëhershme që i shkaktonin serbët në Kosovë.

Ai tha se shpreson që tensionet e krijuara në mes Kosovës e Serbisë të mos kenë implikime te shqiptarët e Luginës, sepse atëherë, sipas tij, do të ishte shumë më lehtë të zbatohej çfarëdo politike fashiste.

Rruga Press

YouTube player