KryesoreLajme

Murati: Telekomi në trend rritës, por i duhen 10 milionë euro

Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se Telekomi i Kosovës është në trend rritës në dy vjetët e fundit, por ka kërkuar gjatë mbledhjes së sotme të Qeverisë që t’i aprovohet një huamarrje prej 10 milionë euro pasi ndërmarrja, sipas tij, ka ende probleme të trashëguara nga “e kaluara e errët e abuzimit”.

Qeveria në detyrë e miratoi kërkesën.

Në fjalën e tij, Murati ka thënë se Telekomi, ndonëse ka hyrë në një fazë konsolidimi dhe ka nisur të shfaqë shenja pozitive të rimëkëmbjes, ende përballet me pasoja të abuzimeve të së kaluarës.

Lexo më shumë  Sveçla priti homologun maqedonas, diskutojnë për bashkëpunimin kufitar dhe sigurinë

“Telekomi kishte vështirësi të shumta financiare kur e morëm, por edhe organizative, për shkak të shumë viteve abuzim gjatë qeverisjeve të kaluara. Me bordin, menaxhmentin e duhur dhe përkushtimin e qeverisë, ndërmarrja ka nisur të këndellet duke zvogëluar shpenzimet operative dhe reduktim të stafit. Kjo ka rezultuar në rritje për investimet e reja. Trendi i të hyrave është kthyer në trend rritës. Në dy vjetët e fundit, kemi të hyra nga 7 milionë euro”, ka thënë ai.

Por sipas Muratit, vështirësitë nuk janë tejkaluar të gjitha. Ministri në detyrë ka thënë se Telekomit tash e disa muaj i janë bllokuar llogaritë për shkak të një rasti përmbarimor nga një kontratë e mëhershme.

Lexo më shumë  Nesër në orën 12:00 vazhdimi i seancës konstituive

“Gjithsesi, vështirësitë nuk janë tejkaluar të gjitha, pra ka ende probleme nga e kaluara e errët e abuzimit shumëvjeçar të ndërmarrjes dhe shkaktojnë herë pas here probleme me likuiditet, ku ndërmarrja tash e disa muaj i ka llogaritë e bllokuara për shkak të një rasti përmbarimor nga një kontratë e dëmshme e mëhershme. Kjo ka rezultuar vonesë të pagesave për operatorët ekonomikë me të cilët ka kontratë Telekomi, por gjithsesi edhe në vonesa të obligimeve tatimore. Në mënyrë që të tejkalohet kjo situatë dhe ndërmarrjes t’i kthehet përqendrimit për rritje, duhet të miratohet kjo pikë”, ka deklaruar ai.

YouTube player