Murati për Hamzën: Premton rritje pagash e pensionesh, por PDK vetë nuk e votoi buxhetin
Kandidati i ministrit në detyrë të Financave, Hekuran Murati, ka reaguar ndaj premtimit të Bedri Hamzës se një nga vendimet e tij të para, nëse vjen në qeveri, do të jetë rritja e pagave dhe pensioneve. Murati ka thënë se ky premtim bie ndesh me veprimin e Partisë Demokratike të Kosovës, e cila nuk e votoi Ligjin e Buxhetit për vitin 2026.
Sipas tij, duke refuzuar buxhetin, PDK “rrezikoi kolapsin financiar të shtetit”, pasi çdo rritje e pagave dhe pensioneve kërkon buxhet të miratuar.
“Siç e dini të gjithë, as PDK-ja nuk e votoi Ligjin e Buxhetit për vitin 2026. E për me i rritë pagat dhe pensionet, duhet me pasë buxhet të miratuar”, shkroi Murati.
Ai shtoi se ka pritur që PDK, me Bedri Hamzën në krye, të reflektonte pikërisht te buxheti, duke qenë se Hamza ka qenë ministër i financave dhe e di peshën e këtij dokumenti.
“Por ja që pavarësisht ndryshimit të emrit të kryetarit, PDK-ja nuk ndryshoi gjë në sjellje dhe për interesa partiake është në gjendje ta sjellë shtetin buzë kolapsit financiar”, theksoi ai.
Reagimi i Muratit vjen në kohën kur partitë politike janë në kulmin e fushatës për zgjedhjet e 28 dhjetorit, ndërsa buxheti i vitit 2026 mbetet i pambyllur pas mosvotimit nga opozita.
Postimi i Plotë:
Bedri Hamza paska premtu që ndër vendimet e para të tij ka me qenë rritja e pagave dhe pensioneve.
Mirëpo siç e dini të gjithë, as PDK-ja nuk e votoi Ligjin e Buxhetit për vitin 2026, duke e rrezikuar kështu kolapsimin financiar të shtetit. E për me i rritë pagat dhe pensionet, duhet me pasë buxhet të miratuar.
Së paku tek buxheti kam pritur që PDK-ja me Bedri Hamzën në krye do të reflektonte e ta votonte, duke e ditur se ai vetë ka qenë ministër i financave dhe e din peshën e një ligji siç është buxheti.
Por ja që pavarësisht ndryshimit të emrit të kryetarit, PDK-ja nuk ndryshoi gjë në sjellje, dhe për interesa partiake është në gjendje ta sjellë shtetin buzë kolapsit financiar.
Rruga Press

