Murati: PDK e LDK po e mbajnë peng shtetin për t’ia dhënë Listës Serbe nënkryetarin
Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të kryetarit të PDK-së, Memli Krasniqi, dhe qëndrimeve të LDK-së lidhur me votimin e nënkryetarëve të Kuvendit.
Murati tha se Krasniqi në konferencë ka pranuar se kandidati Nenad Rashiq është i mirë, por ka pretenduar se votimi për të do të shkelte Kushtetutën. Sipas ministrit, ky qëndrim është kontradiktor, pasi deputetët e PDK-së morën pjesë në votim duke abstenuar, çka sipas tij tregon se pjesëmarrja në proces nuk mund të quhet kundërkushtetuese vetëm kur bëhet për mbështetje.
Ai akuzoi PDK-në dhe LDK-në për hipokrizi, duke kujtuar se vetë këto parti kanë marrë pjesë në votime ndaras edhe më parë, si në rastin e nënkryetares Emilija Rexhepi, të cilën LDK e mbështeti. “A po i bie që edhe LDK-ja e ka shkelur Kushtetutën me votën e saj?” pyeti Murati.
Sipas tij, opozita po e justifikon bllokimin e institucioneve me pretekste kushtetuese, por në fakt qëllimi i tyre është të insistojnë që posti i nënkryetarit të Kuvendit nga komuniteti serb t’i jepet Listës Serbe.
“Qytetarët tash po e shohin se kush po bllokon e zvarritë. Ne jemi të gatshëm të ecim tutje me formimin e Qeverisë Kurti 3, ndërsa ata insistojnë që shteti të mbahet peng,” deklaroi Murati.
Reagimi i plotë:
Memli Krasniqi sot në konferencë e tha që Nenadi është i mirë, por sikur të kishin votuar për të do ta kishin shkelur kushtetutën. Por PDK në fakt kanë votuar duke abstenuar për Nenadin.
Si paska mundësi që pjesëmarrja në votim duke abstenuar të mos jetë kundërkushtetuese, por votimi për mbështetje të tij qenka shkelje?
Memli Krasniqi gjithashtu tha që është dashur të votohen në pako nënkryetarët nga komunitetet jo-shumicë. Por edhe tek kjo pjesë shfaqet hipokrizia, sepse vetë PDK ka marrë pjesë në votim edhe kur kandiatët janë prezantuar ndaras.
E njëjta gjë vlen edhe për LDK-në. Ata po thonë që votimi ndaras i kandidatëve na qenka shkelje, por janë pikërisht LDK-ja që e dha votën për nënkryetaren Emilija Rexhepi.
Tek kur erdhi radha për të votuar nënkryetarin nga radhët e komunitetit serb dhe e panë që s’i kanë votat për Sllavko Simiqin, LDK thanë që është bërë shkelje. A po i bie që edhe LDK-ja e paska shkelur Kushtetutën me votën e tyre?
Ata gjithashtu thanë se Lëvizja Vetëvendsoje po dëshiron ta zvarrisë formimin e institucioneve, sepse nuk i paskemi numrat.
Por qytetarët tash po e shohin se kush po bllokon e zvarritë.
Ne që jemi të gatshëm të ecim tutje me formimin e qeverisë Kurti 3, apo këta që insistojnë se shteti duhet të mbahet peng nëse nënkryetari i Kuvendit nuk i jepet Listës Serbe.
Rruga Press

