Murati: LDK ka bërë manipulim të votave me postë në shkallë industriale, deri më tani nuk kemi parë ndonjë veprim nga prokuroria
Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka ngritur shqetësime serioze mbi një “anomali të dukshme” në votat me postë për Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), duke e cilësuar si manipulim në “shkallë industriale”.
Në një postim në Facebook, Murati ka krahasuar rezultatet e zgjedhjeve të fundit me ato të vitit 2021, duke theksuar se ndërsa partitë e tjera kanë pasur rritje të moderuar në votat me postë, LDK-ja ka shënuar një rritje “abnormale” prej mbi 367%. Ai vlerëson se nëse rritja e LDK-së do të ndiqte të njëjtin trend si partitë e tjera, atëherë keqpërdorimi mund të sillet rreth 13-14 mijë vota.
“Anomalia e votave me postë për LDK-në vërehet edhe me sy të lirë. Pa ndonjë analizë të thelluar mund të konstatohet se kemi të bëjmë me manipulim të votave me postë, në shkallë industriale madje. Nëse do të supozonim trend të njëjtë të rritjes edhe tek LDK-ja sikurse tek partitë tjera, atëherë i bie se keqpërdorimi sillet tek 13-14 mijë vota. Pra nuk është ndonjë gjë që mund të tejkalohet në heshtje.” ka shkruar Murati
Murati ka rikujtuar një rast të vitit 2021, kur anëtarë të LDK-së ishin zënë duke keqpërdorur identitetin e 72 qytetarëve që jetonin në Austri për të manipuluar votat me postë. Për këtë rast, ai thekson se ka pasur edhe dënime nga gjykata.
Duke e cilësuar situatën si shqetësuese, ministri i Financave ka kërkuar ndërhyrjen e menjëhershme të prokurorisë për të hetuar dhe zbardhur rastin. Sipas tij, deri më tani nuk ka pasur asnjë veprim nga institucionet e drejtësisë.
Në fund të reagimit të tij, Murati i ka bërë thirrje edhe kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhikut, që të mbështesë hetimin për këtë çështje.
Rruga Press