Lajme

Mungon Rama në Konferencën e Mynihut – Balla e nis vizitën me gafë: e quan “të dërguar special” atë që tani është vetëm drejtor institucioni kulturor

Në një moment kur siguria globale po lëkundet nga lufta në Ukrainë, tensionet në Lindjen e Mesme dhe rivaliteti gjithnjë e më i ashpër mes SHBA dhe Kinës, në Mynih të Gjermanisë është mbledhur sërish Konferenca e Sigurisë, një nga forumet më të rëndësishme strategjike në botë.

Konferenca e Mynihut për Sigurinë është një platformë ku liderë politikë, ministra të jashtëm dhe të mbrojtjes, drejtues të NATO-s, BE-së dhe OKB-së, përfaqësues të inteligjencës, ekspertë të sigurisë dhe diplomatë diskutojnë drejtimet e reja të politikës globale. Pjesëmarrës janë krerë shtetesh dhe qeverish nga Europa dhe Amerika e Veriut, përfaqësues të administratës amerikane, drejtues të lartë të NATO-s dhe BE-së, si dhe delegacione nga Lindja e Mesme dhe Azia.

Vitet e kaluara Shqipëria është përfaqësuar nga kryeministri Edi Rama, por këtë vit Rama mungon. Në vend të tij ka udhëtuar drejt Mynihut kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla, i cili takimin e parë e ka pasur me Richard Grenell të cilin e quan të Dërguarin Special të Presidentit Donald Trump për Misionet Speciale të SHBA.

“Konferenca e Sigurisë Mynih Drekë pune me Richard Grenell, të Dërguarin Special të Presidentit Donald Trump për Misionet Speciale të SHBA. Diskutuam mbi partneritetin e veçantë mes Shqipërisë dhe SHBA” shkruan Taulant Balla në statusin e tij në rrjetet sociale.

Lexo më shumë  Ahmeti: Votën PDK-së për ligjin ia dhamë, kur shteti kërkon votën e PDK-së për Presidentin, fillojnë kushtet

Vetëm se kjo është një gafë, sepse Richard Grenell prej një viti ka marrë emërimin e Trump si drejtor ekzekutiv i përkohshëm i Qendrës John F. Kennedy për Artet Performuese, një prej institucioneve kulturore në Shtetet e Bashkuara.

Javën e shkuar qendra u mbyll për rikonstruksion dhe Grenell tashmë merret me punimet që do të zhvillohen aty. Qendra konsiderohet si një nga skenat më prestigjioze të artit skenik amerikan.

Lexo më shumë  Surroi: Deputetët kanë mundësinë që sot të votojnë për pakon që përfshin presidentin, Specialen e Këshillin e Evropës

Ajo ofron një program të gjerë që përfshin koncerte të muzikës klasike, performanca të orkestrës simfonike kombëtare, shfaqje baleti dhe vallëzimi modern, si trupat e njohura si Alvin Ailey, si edhe baletin klasik “Arrëthyesi”.

Në repertorin e saj janë përfshirë gjithashtu opera të shumta, shfaqje teatrore, spektakle magjie dhe një numër i konsiderueshëm aktivitetesh të dedikuara për fëmijë dhe familje. Gjatë dy viteve të fundit, skena e Kennedy Center ka mirëpritur disa nga muzikalët më të famshëm ndërkombëtarë, mes tyre “Frozen”, “Funny Girl”, “Les Misérables”, “The Lion King”, “Mamma Mia!”, “Moulin Rouge”, “Spamalot”, “Sunset Boulevard” dhe “Wicked”./Lapsi.al

Rruga Press

YouTube player