Lajme

MPJD: Tetë shtetas të Kosovës janë larguar nga Izraeli, në pritje edhe shtatë tjerë

Tetë kosovarë janë larguar nga Izraeli pas sulmit terrorist të 7 tetorit, ndërsa në pritje të largimit janë edhe shtatë tjerë, ka njoftuar për KOHËN, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, njofton mediet dhe opinionin publik, se si rezultat i sulmit terrorist ndaj shtetit të Izraelit që ndodhi të shtunën, më 7 tetor, 2023 në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Jerusalem deri më tash kanë kërkuar ndihmë tetë shtetas të Republikës së Kosovës. Të gjithë shtetasit e Republikës së Kosovës, që kërkuan ndihmë tashmë janë larguar nga territori i shtetit të Izraelit. Ndërkohë, në Ambasadën e Republikës së Kosovës janë lajmëruar edhe shtatë shtetas të tjerë me të cilët Ambasada është në komunikim të vazhdueshëm për t’i ofruar zgjidhje. Të lajmëruarit janë të sigurt dhe në gjendje të mirë shëndetësore”, është thënë nga MPJD-ja.

Lexo më shumë  Sot përfundon procesi i regjistrimit të popullsisë

MPJD po ashtu ka bërë të ditur se është duke mbajtur kontakte të vazhdueshme edhe me shtetasit e Kosovës që ndodhen me punë në Izrael si pjesë e organizatave të huaja apo agjencive të Kombeve të Bashkuara.

MPJD ka thënë se nuk ka ndonjë informatë se ndonjë shtetas i Kosovës ka humbur jetën në sulmet në Izrael.

Më 7 tetor militantë të Hamasit u futën brenda territorit të Izraelit, duke vrarë qindra e kidnapuar dhjetëra persona. Izraeli është kundërpërgjigjur me sulme ajrore në Rripin e Gazës.

Lexo më shumë  Politikani serb: Kam bërë padi në GjND për të gjitha krimet serbe të kryera në Kosovë

Mbi 700 persona janë vrarë në Izrael, përfshirë 260 në një festival muzikor, ndërsa në Gaza kanë humbur jetën mbi 500 persona.

“MPJD i bënë thirrje të gjithë shtetasve të Republikës së Kosovës që kanë nevojë për ndihmë të kontaktojnë numrin e mëposhtëm emergjent të Ambasadës së Kosovës në Izrael: +9720586340450. Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës shpreh falënderimin dhe mirënjohjen ndaj Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrit, Igli Hasani, për mbështetjen dhe ndihmën e ofruar”, thuhet nga MPJD. /koha/

Rruga Press

YouTube player