Lajme

Mosnjohja e plotë e Kosovës, pengesë drejt NATO-s

Mosnjohja e Kosovës nga katër shtete evropiane që janë edhe pjesë NATO-s, është pengesa kryesore për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë ndërkombëtare, u tha në Komisionin për Punë të Jashtme dhe Diasporë në Kuvendin e Kosovës. Lidhur me anëtarësimin e Kosovës në NATO, para anëtarëve të këtij komisioni raportoi të martën ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Armend Mehaj. Sipas tij, Ministria e Mbrojtjes ka bashkëpunim të përditshëm me NATO-n dhe objektivë e Ministrisë që udhëheq ai është anëtarësimi në NATO. Kosova, siç tha ai, ka nënshkruar dhjetëra memorandume bashkëpunimi dhe marrëveshje të ndryshme me shtetet anëtare të NATO-s, kurse “127 pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës po ndjekin studime dhe trajnime jashtë vendit”.

Megjithatë, ka hapësirë që bashkëpunimi me NATO-n të thellohet, tha Mehaj.

“Rrugën e Kosovës dhe FSK-së për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare e lehtëson një kornizë ligjore e koordinuar me partnerët tanë. Në këtë drejtim e veçoj Projektligjin për dërgimin e FSK-së jashtë vendit”, tha Mehaj.

Lexo më shumë  Peci: Po hartohet plan për zhvillimin e Liqenit Akumulues të Mitrovicës

Edhe njohësi i çështjeve të sigurisë, Nuredin Ibishi, tha për Radion Evropa e Lirë se mosnjohja e Kosovës nga këto katër vende është pengesë për anëtarësim në NATO. Sipas tij, hyrja në partneritetin për paqe e jep një garanci për një kohë të caktuar që Kosova mund të futet në NATO.

“Një e arritur e FSK-së që garanton një proces të përkrahjes së atyre vendeve që nuk e kanë njohur Kosovën, me mbështetje të partnerëve tanë strategjikë, [është se] ne kemi kaluar prej misionit paqësor në mision ushtarak, siç ishte ky i fundit me forcat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, tha Ibishi.

Sipas tij, FSK-ja ka ngritur një organizatë profesionale me standarde të miratuara të NATO-s dhe, duke rritur kapacitetet e saj, shtoi ai, mund të shkurtohet edhe periudha e tranzicionit, që është paraparë të zgjasë 10 vjet. Në dhjetor të vitit 2018, Kuvendi i Kosovës ka miratuar ndryshimet ligjore, për të transformuar mandatin e FSK-së në ushtri.

Si bëhet anëtarësimi në NATO?

“Politika e dyerve të hapura” të NATO-s bazohet në dokumentin themelues të Aleancës, sipas të cilit, anëtarësimi në NATO është i hapur për çdo “shtet evropian që është në gjendje t’i çojë përpara parimet e këtij Traktati dhe të kontribuojë në sigurinë e zonës së Atlantikut të Veriut”.

Lexo më shumë  Shqipëria t’u dalë në krah studentëve në protestë e krejt shqiptarëve në RMV. E t’u dalë në krah jo me hashtage, jo me deklarata FB-je, por me veprime te qarta e të prera diplomatike, qoftë edhe duke thirrur në kauzë Arbitrin Ndërkombëtar

Sipas kësaj politike, çdo vendim për zgjerimin duhet të merret “me marrëveshje unanime”.

Për t’u anëtarësuar në Aleancë, vendet pritet t’i respektojnë vlerat e Traktatit të Atlantikut të Veriut dhe të plotësojnë disa kritere politike, ekonomike dhe ushtarake, të përcaktuara në Studimin e Zgjerimit, të vitit 1995.

Këto kritere përfshijnë një sistem politik demokratik, të bazuar në një ekonomi tregu; trajtimin e drejtë të popullatës pakicë; angazhim për të zgjidhur konfliktet në mënyrë paqësore; aftësinë dhe vullnetin për të dhënë kontribut ushtarak në operacionet e NATO-s, si dhe përkushtim ndaj marrëdhënieve dhe institucioneve demokratike civilo-ushtarake./REL

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *