Opinion/Aktualitet

Mos ia nxirrni sytë Kosovës në përpjekje për t’i vënë vetulla asaj!

Shkruan Enver Bytyçi

Kur Gabriel Esckobar shkon të raportojë në Komitetin e Punëve të Jashtme të Senatit Amerikan, e di se pyetjet dhe shqetësimet e këtij komiteti shkojnë në favor të Kosovës dhe ndihmës së Amerikës ndaj saj! Këto raportime e bëjnë atë të lëvizë një hap prapa në qëndrimet e tij dhe Departametit të Shtetit ndaj politikave amerikanë në shtetin më të ri të Europës.

Ndaj dhe pyetjes se pse favorizohet Serbia, kur ajo nxiti dhe realizoi bojkotin e zgjedhjeve në veri të vendit, zoti Escobar iu përgjigj me arsyetimin se në Serbi është shpallur non-grata Aleksandër Vulin! Dhe kjo është e vërtetë. Vulin është shpallur i padëshirueshëm nga Uashingtoni për shkak të lidhjeve të tij me Rusinë e për pasojë edhe të rrezikut që paraqet për Kosovën. Por Vulin nuk mund të shërbejë si mburojë e Aleksandër Vuçiç! D.m.th nuk mundet që presidenti i Serbisë politikën e tij kundër Kosovës e Perendimit, si dhe lidhjet që mban me Rusinë, t’ia shesë shefit të shërbimeve sekrete serbe e të dalë paq. Dhe nëse ndihmës sekretari i Shtetit e pranon këtë lojë diversive e difensive të Aleksandër Vuçiç, atëherë duhet besuar se diçka nuk shkon!

Megjithatë në këto raportime të zotit Escobar në Senat më ra në sy diçka shumë interesante: – Pak a shumë ai thoshte se “nëse zoti Kurti dhe qeveria e tij themelojnë asosacionin, atëhere SHBA-të do të angazhohen në një fushatë të gjerë për shtimin e njohjeve të shtetit të Kosovës, sidomos do të bënin trysni ndaj pesë shteteve anëtare të BE-së, katër prej të cilave anëtare të NATO-s. Premtoi se gjithashtu do të angazhohej për pranimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.

Lexo më shumë  Kroacia i merr aeroplanët që Serbia i kërkon nga Franca

Mirëpo ky premtim i ngjan premtimit të kahershëm se “SHBA-të do të jenë garantë të integritetit territorial të Kosovës, nëse ajo formon asosacionin e Komunave me Shumicë Serbe”! Këtij premtimi Kurti nuk i besoi. Garancia varet vetëm nga një marrëveshje me njohje midis Serbisë dhe Kosovës e depozituar në OKB! Prandaj dhe zoti Kurti këmbngul në një asosacion të llojit kroat, me të cilin Beogradi nuk bie dakord. Mesa duket Departamenti i Shtetit nuk e parapëlqen këtë lloj asosacioni, që serbët në Kosovë të kenë ato të drejta që kanë serbët e Kroacisë. Duket qartë se kërkohet më shumë se kaq. Dhe për këtë u premtua fushata amerikane për njohje dhe pranim në organizatat ndërkombëtare.

Sa është realist dhe sa mund të realizohet ky premtim? Së pari duhet thënë se premtimi në fjalë nuk përbën risi. Fushata amerikane për njohjen e Kosovës ka qenë e fuqishme dhe e pashembullt sa kohë që në pushtet ishte presidenti George W. Bush! Madje asokohe kishte edhe një lloj obligimi detyrues moral, politik dhe strategjik. Me ardhjen e Barak Obamës u ndërprenë shumë aktivitete të tilla. Mbaj mend kur Polonia votoi kundër pranimit të Kosovës në UNESCO, ishte Obama president. Thashë me vete: – Polonia! Aleatja më e ngushtë e SHBA-ve në Europë, – kundër! E pabesueshme! Unë kam arsyetimin logjik pse ndodhi kësisoj atëherë, kur Kosova për tri-katër vota e humbi shansin të bëhej anëtare e UNESCO-s. Por nuk është ky objekti i kësaj analize. Escobar duhet të jetë i sinqertë e të thotë pse kjo fushatë njohjesh e pranimesh u ndërpre? A mos duhej që Kosova të vihej në trysni për të pranuar marrëveshjet pro-serbe në Bruksel?! Kot, thjesht një pyetje po bëj!

Lexo më shumë  Kurti: Trashëgimtarët e Millosheviqit në Beograd refuzojnë t’i hapin arkivat për t’i zbuluar lokacionet e varrezave masive

Së dyti, premtimi që jep Escobar nuk është zotim juridik, madje nuk ka as edhe përcaktime të sakta. P.sh nëse pesë vendet anëtare të BE-së nuk e njohin Kosovën çfarë do të thonë SHBA-të? Natyrshëm është i qartë formulimi: – Ato janë shtete sovrane dhe nuk mund t’ua imponojmë politikat e tyre të jashtme”! Dhe kjo është fair. Bazuar në normat juridike ndërkombëtare asnjë shtet, asnjë vend, nuk mund t’i imponohet në vendimmarrjen e tij një vendi tjetër. Dikush thotë se ato janë edhe anëtare të NATO-s (katër prej tyre). Dakord, por vetë NATO-ja funksionon me të drejtën e vetos në marrjen e vendimeve. E drejta dhe demokracia janë principet kryesore të ndërtimit të kësaj organizate. Ndryshe do të ishte shkërmoqur njësoj si Traktati i Varshhavës.

Në këto kushte Kurti mundet që të mos e pranojë ofertën e Gabriel Escobar. Por ama ai ia ka hedh benzinën zjarrit. Opozitarët dhe gjithë pro-serbet e Tiranës dhe të Prishtinës do të ngrihen dhe do të thonë sërishmi se “Albini është anti-amerikan”! Për çfarë? Se do t’i thotë zotit Escobar se nuk i besoj fjalës së tij! D.m.th është anti-amerikanizëm, nëse nuk i beson një fjale të lëshuar sa për t’ia hedh një raportimi në Komitetin e Jashtëm të Senatit Amerikan! Ndoshta Kurti e pranon propozimin dhe rekomandimin e zotit Escobar. Pra, nuk e dimë përgjigjen e tij. Megjithatë ka shumë shanse se në vend të vendosen vetullat, do të bëhen përpjekje për të nxjerrë sytë e Kosovës!

Rruga Press

YouTube player