Lajme

Mori pjesë në protestën në Tiranë, Kolegji Universitar i Biznesit e heq nga puna pedagogun: Mos u dekurajoni, mos u friksoni, luftoni se do të fitojmë

Pedagogu Artan Manushaqe ka bërë publik se është hequr nga puna nga Kolegji Universitar i Biznesit më 29 qershor 2026, pas 5 vitesh e 6 muajsh si pedagog.

Sipas njoftimit të institucionit, heqja nga puna është argumentuar me pretendimin se ai ka marrë pjesë në aktivitete publike me karakter politik, duke cenuar paanshmërinë dhe neutralitetin e institucionit. Ai i hedh poshtë këto pretendime, duke deklaruar se në asnjë protestë nuk është paraqitur si përfaqësues i kolegjit dhe se nuk ekziston asnjë provë që ta mbështesë këtë akuzë.

Ai shprehet se shkarkimi është i paligjshëm dhe diskriminues, pasi, sipas tij, janë shkelur procedurat e Kodit të Punës, si dhe dispozita të Kushtetutës, ligjit për arsimin e lartë, ligjit për mbrojtjen nga diskriminimi dhe Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Pedagogu njofton se do ta ndjekë çështjen në institucionet shqiptare dhe ndërkombëtare, duke kërkuar mbrojtjen e të drejtave të tij dhe të lirisë së shprehjes. Ai ngre pyetjen nëse një pedagog mund të largohet nga puna për pjesëmarrje në protesta ose për shprehjen e bindjeve personale politike jashtë institucionit, pa e përfshirë universitetin në këto aktivitete.

Postimi i plotë i pedagogut Artan Manushaqe:

Të dashur miq lexojeni me pak durim.

Në datën 29 qershor 2026, Kolegji Universitar i Biznesit më ka larguar nga puna si pedagog, pas 5 vitesh e 6 muajsh punë në këtë institucion, me arsyetimin se kam marrë pjesë në aktivitete dhe angazhime publike me karakter politik ( protesta ) si dhe se kam “cënuar figurën, paanshmërinë dhe neutralitetin politik të institucionit, duke krijuar perceptimin e përfshirjes së institucionit në angazhime me karakter politik”, sipas pretendimit të tyre, dhe se ata më kanë paralajmëruar disa herë lidhur me sa mê sipër.

Më tej, ata shprehen se “kanë verifikuar komunikime/postime në rrjetet sociale ku unë jam paraqitur si lektor/pedagog i KUB”.

Përgjigjja ime është kjo;

Në asnjë moment dhe në asnjë rrethanë, në protestat ku kam marrë pjesë apo do të marrë pjesë, nuk jam paraqitur si pedagog përfaqësues i Kolegjit Universitar të Biznesit, as publikisht dhe as privatisht. Ka zero fakte e prova dhe ka vetëm gënjeshtra të stisura, që ata i dinë vetë.

Dëshmitarë janë mediat publike këto vite dhe rrjetet e mia personale sociale por edhe publiku.

Moralisht, nëse gjeni qoftë edhe një moment apo një fjali të vetme të thënë nga unë ku të kem deklaruar: “Jam këtu në protestë apo në një angazhim publik politik si pedagog/përfaqësues i Kolegjit Universitar të Biznesit”, unë do t’ju kërkoj ndjesë publike. Në të kundërt, duhet të më kërkoni ju mua ndjesë publike dhe opinionit publik, pasi rruga ligjore dhe transaprenca do të vazhdoj në institucionet vendase dhe ndërkombëtare për të mbrojtur dinjitetin tim dhe dinjitetin e një pedagogu në Shqipëri.

Unë nuk kam nevojë për pasthirrma apo për t’u fshehur pas emrit të një institucioni. Unë kam emrin dhe mbiemrin tim si çdo qytetar në këtë vend, në çdo protestë dhe në çdo qëndrim publik, sepse kjo është pjesë e etikës dhe e mënyrës sime të të menduarit e vepruarit.

Gjatë gjithë periudhës së punës kudo ku kam qënë një jetë të tëre unë kurrë nuk kam pasur asnjë masë disiplinore. Kam qenë korrekt e serjoz në punë, veçanërisht në procesin e mësimdhënies me studentët e mi dhe në marrëdhëniet me kolegët pedagogë, për të cilët gëzoj respekt.

Kush ka punuar me mua e di mënyrën time të punës. Gjithashtu, mund të verifikohen raportet e brendshme të institucionit gjatë këtyre 5 viteve e 6 muajve për performancën time dhe mësimdhëniet si pedagog në Universitetet Europiane, Erasmus +, si në Spanjë, Letoni, Lituani e me radhë.

Largimi i menjëhershëm nga puna përmban disa shkelje ligjore.

Është shkelur afati i njoftimit, si dhe procedura e dëgjimit dhe konsultimit.

Njoftimi për largim nga puna mu njoftua verbalisht rreth orës 10:00 të datës 29 qershor nga rektori në zyrën e tij.

Ndërsa në orën 16:58 të po asaj dite, më është dërguar me email nga institucioni njoftimi për largimin nga puna, së bashku me dokumentin e firmosur nga rektori.

Sipas vlerësimit tim, janë cenuar disa dispozita ligjore,

1. Është cenuar Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, neni 18, i cili garanton barazinë para ligjit dhe ndalon diskriminimin për shkak të bindjeve apo qëndrimeve politike.

2. Është cenuar Ligji për Arsimin e Lartë nr. 80/2015, neni 8, i cili përcakton se institucionet e arsimit të lartë garantojnë trajtim të barabartë dhe ndalojnë diskriminimin për çdo person, pavarësisht bindjeve politike apo karakteristikave të tjera.

3. Është cenuar Ligji nr. 10221/2010 “Për Mbrojtjen nga Diskriminimi”, përkatësisht nenet 1, 17 dhe dispozitat në vijim.

4. Është cenuar neni 14 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, që lidhet me mbrojtjen nga diskriminimi, si dhe Protokolli nr. 12 i kësaj Konvente.

5. Janë cenuar gjithashtu një sërë standardesh dhe direktivash evropiane lidhur me barazinë, arsimin dhe marrëdhëniet e punës.

6. Janë cenuar dispozitat e Kodit të Punës, përfshirë nenin 143 për afatin e njoftimit dhe nenin 144 për procedurën e zgjidhjes së marrëdhënieve të punës.

Ekzistojnë shumë prova dhe fakte të tjera që vërtetojnë dhe do të vërtetojnë se “largimi im nga puna me efekt të menjëhershëm” është i paligjshëm dhe diskriminues.

( nuk po flas për modelin e paligjshmërisë së kontratës..por do ta diskutojmë atë kemi kohë..)

Në këto kohë ka pasur edhe përpjekje për heqjen e dokumenteve nga emaili institucional, veçanërisht të njoftimit për largimin nga puna si dokument bashkëngjitur (attach). Çdo pedagog ka një email institucional që hapet, mbyllet apo kontrollohet nga institucioni.

Nuk e di se nga kush është bërë kjo, por jam në proces verifikimi. Dokumentin e publikuar prej meje e kam ruajtur edhe në një email tjetër.

Çdo dokument është ruajtur në mënyrën e duhur dhe në përputhje me ligjin. Kam rreth dy javë që ju kërkoj disa vërtetime pune dhe lëndësh që kam dhënë për mbi 5 vjet dhe nuk mi japin por nxjerrin justifikime, të tipit hajde firmose dorëheqjen, se siç duket kanë rënë këmbanat. Dmth unë “armik i popullit”!

Nuk ekziston asnjë bazë ligjore dhe faktike për largimin tim nga puna si pedagog.

Pyetjet që unë shtroj janë:

A mund të largohet nga puna një pedagog vetëm sepse merr pjesë në protesta ( jashtë institucionit, pa e përmendur dhe pa e lidhur në asnjë mënyrë institucionin ku punon ) kundër qeverisë?

A mund të largohet nga puna një pedagog sepse shpreh mendimin e tij personal (jashtë institucionit, pa e përmendur dhe pa e lidhur në asnjë mënyrë institucionin ku punon) kundër qeverisë, një pushteti apo një partie politike?

Miq, mos u dekurajoni, mos u friksoni, luftoni se do të fitojmë e drejta dhe Zoti është me ne.

Asgjë nuk mund të më ndalojë mua të shpreh mendimin dhe bindjet e mija, etike, ligjore e të drejta për këdo pavarësisht çdo kostoje.

Si përfundim

Sot dhe më shumë se kurrë në protestë.

Një derë mbyllet 10 të tjera hapen.

Dashuria për atdheun ka kostot e veta. Ne i kemi pranuar ato dhe do të vazhdojmë t’i dalim zot kësaj toke të bekuar nga natyra dhe Zoti.

( Më poshtë për transparencë me publikun dhe median, emaili i nisur nga institucioni, dhe dokumenti i firmosur nga rektori i institucionit për largimin tim të menjëhershëm nga puna, ku shihen qartë diskriminimi ligjor e kushtetues si themel ndaj meje dhe paligjshmëria si procedurë.

E na falni për gabimet ortografike ne dokumentin e institucionit të arsimit të lartë të nisur në email tim se janë bërë nga nxitimi… )

Me respekt,

Artan Manushaqe

Rruga Press

Lexo më shumë  Paunoviqi ka kompetenca “ta zvogëlojë” numrin e shqiptarëve në Luginë, thotë Kamberi

YouTube player