BotaKryesore

Ish admirali amerikan: Blerja e sistemit të raketave Javelin nga Kosova, vendim i duhur

Autoritetet në Kosovës dhe zyrtarët amerikanë konfirmuan javën e kaluar se Kosova është në proces të blerjes së 246 raketave Javelin.

Kërkesa e Kosovës, pritet të shqyrtohet tani nga Kongresi amerikan, që jep miratimin përfundimtar për shitjen e armëve vendeve të huaja.

Ministri i Mbrojtjes së Kosovës Ejup Maqedonci dhe zyrtarët e Departamentit amerikan të Shtetit janë shprehur se synimi kësaj blerje ushtarake është përmirësimi i kapaciteteve mbrojtëse të Kosovës.

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç reagoi duke thënë se me armatimin e mëtejshëm të Forcave të Sigurisë së Kosovës nga vendet e NATO-s, po synohet jo vetëm largimi i gjurmëve të Serbisë në Kosovë por edhe largimi i serbëve nga atje.

Mark Montgomery, drejtor pranë Fondacionit për Mbrojtjen e Demokracive në Washington, admiral në pension i forcave detare amerikane, ka një përvojë të gjatë me ushtrinë me amerikane.

Ai ka shërbyer si drejtor politikash në Komisionin e Senatit për Forcat e Armatosura, kur ai drejtohej nga Senatori John McCain, si dhe në Komandën e Ushtrisë Amerikane në Evropë, përgjegjës për planifikimin dhe strategjinë. Vendimi për të siguruar raketat Javelin, thotë ai “është i menduar mirë”.

“Për të miratuar një kërkesë të tillë duhet shumë planifikim dhe përpjekje ndërinstitucionale, që do të thotë se ana politike, ekonomike dhe ushtarake e vlerësimit të qeverisë amerikane rreth Ballkanit në përgjithësi dhe Kosovës në veçanti, u pajtuan që kjo është gjëja e duhur për të bërë,” thotë zoti Montgomery.

Montgomery thotë se mesazhi që përcillet me shitjen e sistemit të përparuar Javelin për Kosovën ka synime diplomatike.

“Ne e dimë se duam t’i sigurojmë Kosovës pajisje të nevojshme për të krijuar stabilitet brenda kufijve të saj nga çfarëdo përdorim force nga jashtë. Sistemi ‘Javelin’ është një armë e përsosur, sepse është një armë fantastike mbrojtjeje për të frenuar një sulm të mundshëm me automjete të blinduara ndaj Kosovës,” shton ai.

Sipas Montgomery, sistemi Javelin, i cili u bë i famshëm nga përdorimi në Ukrainë, në përballjen me sulmin e Rusisë, është i efektshëm, si në aspektin parandalues ashtu edhe në atë buxhetor dhe në rrafshin strategjik, është hapi i duhur. Raketat Javelin, thotë zoti Montgomery, janë një nga sistemet më të kërkuara të arsenalit ushtarak amerikan – ato po kërkohen nga Ukraina, nga shumë shtete të Evropës Lindore dhe shtetet e Baltikut, si dhe nga Tajvani e Rumania.

“Mendoj se ky sistem bën ndryshimin, jo sa i përket kapacitetit për të bërë diçka dramatike, por si një sistem mbrojtës. Vlerësimi i Shteteve të Bashkuara është se Kosova duhet të pajiset me sistem armësh të avancuara. Kjo është armë që përdoret nga një ushtar i vetëm, që do të thotë se ne nuk po u japim pajisje të shkallës së lartë të manovrimit ushtarak, por po u ofrojmë atë që ju duhet. Dhe po i dërgojmë mesazh çdo armiku potencial, se Kosova ka pajisjet që i duhen për të frenuar një sulm të mundshëm,” thotë Montgomery.

Montgomery, i cili ka punuar në dekadat e fundit në kapacitete të ndryshme me shtetet e Ballkanit, vlerëson se pajisja e Forcave të Armatosura të Kosovës me raketat Javelin, që ndodh në kontekstin e ndryshuar gjeopolitik në Evropë për shkak të sulmit rus në Ukrainë dhe tensioneve në Ballkan, përfshirë incidentet si në Banjskë, të cilat ai i sheh të ndërlidhura me ndikimin rus dhe përkrahjen e Serbisë, po bëhet edhe si pjesë e një strategjie dalëse të NATO-s nga roli paqeruajtës në Kosovë.

Lexo më shumë  Muja: Kontratat njëburimore janë përgjysmuar, propaganda e opozitës është e pabazë

Sipas tij, “Rusia nuk ka për qëllim që të shkaktojë ndonjë gjë të madhe në Ballkan, por kërkon destabilizim dhe kaos në mënyrë që ta largojë vëmendjen e NATO-s nga lufta në Ukrainë dhe në këtë aspekt ata janë ndihmuar edhe nga parteri i tyre tradicional Serbia.”

Ai thotë se NATO-ja, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë bërë “një punë të shkëlqyer” në vendosjen e qëndrueshmërisë në rajon, përfshirë anëtarësimin e shumicës së shteteve që dolën nga ish-Jugosllavia në NATO, por Kosova, sipas tij, mbetet një çështje ende e papërfunduar, për shkak të qëndrimit të Serbisë, e cila ndihmohet nga Rusia. Rusia këtë vit, sipas zotit Montgomery do të provojë të “krijojë kaos” në vende si Moldavia, në shtetet e Baltikut dhe ndoshta edhe në Ballkan.

“Puna jonë është të vazhdojmë të krijojmë stabilitet në Kosovë, të sigurohemi që Forcat e Armatosura të Kosovës kanë pajisjet e duhura për të siguruar një ambient të sigurtë për veten. Është e drejtë të thuhet se forcat e NATO-s kanë qëndruar në Kosovë shumë më gjatë nga sa ishte planifikuar fillimisht dhe ende nuk besoj se ekziston një afat përfundimtar për to. Dhe afati i largimit të tyre është vështirë të përcaktohet nëse nuk ekziston një forcë e aftë, e qëndrueshme që mund të krijojë një mjedis të sigurtë në Kosovë,” shtoi ai.

Montgomery thotë se është e vështirë të parashikohet një shpërthim i ri i dhunës ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, por shton se mundësia ekziston meqë kjo është çështje e pazgjidhur mes palëve, dhe varet nga qëndrimi i Serbisë, në se do të nxisë apo jo tensione./VOA

YouTube player