Moment historik për kurdët dhe Turqinë – PKK dëgjoi liderin dhe shpalli armëpushim
Lëvizja kurde, PKK ka shpallur armëpushimin pas thirrjes së liderit të saj, Abdullah Ocalan.
Komiteti Ekzekutiv i organizatës ka pranuar këtë urdhër dhe ka deklaruar se do ta zbatojë atë, shkruan france24.
Në një deklaratë urgjente, Komiteti Ekzekutiv i PKK-së ka bërë të ditur se pajtohet me përmbajtjen e thirrjes së Ocalanit dhe do të respektojë kërkesat e saj.
“Ne i përmbahemi thirrjes së Ocalanit dhe shpallim armëpushim. Do t’i bindemi kësaj thirrjeje, por çështje si çarmatosja mund të realizohen vetëm nën udhëheqjen praktike të Ocalanit”, thuhet në deklaratë.
Komiteti Ekzekutiv i PKK-së ka përmendur disa pika kyçe:
– Si PKK, pajtohemi me përmbajtjen e thirrjes dhe shpallim armëpushimin duke filluar nga sot.
– Megjithëse do të zbatojmë kërkesat e thirrjes, theksojmë se për suksesin e këtij procesi duhet të zbatohen politika demokratike dhe baza ligjore.
– Për të hapur rrugën për implementimin e thirrjes për paqe dhe një shoqëri demokratike, ne shpallim armëpushimin nga sot.
Në thirrjen e tij të mëparshme, Ocalan theksoi se PKK-ja ka humbur kuptimin e ekzistencës së saj për shkak të faktorëve të brendshëm, rënies së socializmit real në vitet 1990, ndryshimeve në politikën e identitetit në Turqi dhe përparimeve në lirinë e shprehjes.
Për këtë arsye, ai deklaroi se tani ka ardhur koha për shpërbërjen e organizatës.
Ocalan, i cili është 75 vjeç, ndodhet në burg në ishullin Imrali që nga viti 1999, pasi u dënua për tradhti. Pavarësisht izolimit shumëvjeçar, ai vazhdon të ketë ndikim të madh në PKK.
Rruga Press