Lajme

Mizogjinia dhe dezinformimi ushqejnë dhunën ndaj grave aktiviste në hapësirën digjitale

Aktivistet e të drejtave të njeriut përballen me dhunë në hapësirën digjitale si rrjedhojë e kulturës patriarkale, mungesës së një kuadri ligjor mbrojtës të plotësuar, si dhe normës së lartë të padërshkueshmërisë ndaj autorëve.

Gjatë viteve të fundit, sfera digjitale është kthyer në një hapësirë që përdoret gjerësisht për të punuar, komunikuar dhe informuar në Shqipëri. Pavarësisht përfitimeve të shumta që ky dimension sjell, përdorimi i gjerë ka rreziqet dhe anët e tij negative, në mënyrë të veçantë për aktivistet për të drejtat e njeriut.

“Që kur dola hapur në lidhje me orientimin tim seksual në vitin 2012, jam hasur sistematikisht me mesazhe me gjuhë urrejtje në rrjetet sociale, kryesisht kërcënime për vrasje, përdhunim, ofendime dhe mallkime”, tregon Xheni Karaj.

Aktiviste e të drejtave të njeriut dhe drejtuese e organizatës Aleanca LGBT, Karaj kujton se ka komentues, të cilët me një lehtësi të padurueshme, shprehin dëshirën për të ushtruar dhunë ndaj saj, duke dhënë dhe detaje për fantazitë e tyre.

“Duhet ta lidhësh me litarë këmbë dhe duar dhe ta tërheqësh me dy makina, duke e ndarë në dysh”, shkruhet në një prej komenteve që ajo ka marrë në rrjetet sociale.

Edhe Zhaklin Lekatari, gazetare dhe autore e një blogu mbi edukimin seksual, vazhdimisht përballet me sulme kur bën deklarata mbi barazinë gjinore dhe sjelljen seksuale, të cilat perceptohen si tema tabu nga shumë përdorues të rrjeteve sociale.

“Sa herë që deklaratat e mia tronditin opinionin publik, unë përballem me sulme online”, theksoi ajo.

Lekatari i tha BIRN se sulmet që i adresohen konsistojnë në kërcënime, gjuhë urrejtje, mallkime, ofendime, linçime të strukturuara, si edhe thirrje për përdhunim apo deri në eliminim fizik.

Sipas një studimi të Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM) mbi lirinë e mbrojtjes së të drejtave të aktivisteve gra në hapësirën digjitale, 83% e aktivisteve të intervistuara kanë hasur shkelje të të drejtave digjitale, të paktën një herë ose më shumë në punën e tyre.

Gjetjet e studimit tregojnë se aktivistet gra përballen me shkelje madhore në hapësirën digjitale, përfshirë këtu gjuhë seksiste, fushata linçimi, ngacmim seksual, sulme të reputacionit, por edhe kërcënime për sulme seksuale, përdhunime apo vdekje.

Gjetjet e studimit të IDM-së tregojnë se pikërisht gjuha e urrejtjes në hapësirën digjitale përbën shqetësimin më të madh të aktivisteve, e raportuar nga 37.3% e të intervistuarave.

Megi Reçi, juriste dhe bashkëautore e studimit të IDM-së, thekson se edhe vetë u përballë me reagime të ngjashme kur publikuan studimin dhe kur ai u raportua në media.

“Vërshuan ofendimet dhe komentet e dhunshme nga profile anonime, të cilët, ironikisht, zgjodhën atë formë për të na thënë që nuk ka dhunë ndaj grave, apo ndaj grave aktiviste”, tha ajo. “Për mua, ai reagim mjafton për të (ri)validuar gjetjet e studimit”, shtoi Reçi.

Mirela Ruko, aktiviste dhe këshilltare e Lëvizjes Bashkë në bashkinë e Tiranës, tregon për BIRN se asaj i është dashur shumë herë të mbyllë një sy ndaj sulmeve online që ka hasur. Ajo kujton se sulmi i fundit me të cilin është përballur erdhi pasi ajo postoi një video gjatë një vizite në Greqi.

“Filluan të më sulmonin në TikTok dhe Instagram: ‘Ti je e shitur te grekët’, ‘Spiune greke’, ‘Vendi ynë paska nxjerrë tërë mbeturinat’”, kujtoi Ruko.

Sipas Rukos, këta persona gjejnë elementë të caktuar që zgjojnë emocionet e njerëzve për të denigruar sa më shumë figurën e grave aktiviste.

“Ata përdorin moralin shoqëror, përhapin kulturën e denigrimit duke përdorur normat morale që shoqëria jonë i ka dobësi”, tha ajo.

Ngjashëm, edhe ekspertja Reçi pranon se normat patriarkale dhe gjinore janë ndër faktorët kyç që nxisin sulmet në hapësirën kibernetike.

“Disa faktorë që kontribuojnë në nxitjen e sulmeve dhe dhunën online në Shqipëri janë normat patriarkale dhe gjinore, mosndëshkimi, keqinformimi, mungesa e edukimit, konservatorizmi dhe paragjykimet e thella për punën e organizatave për të drejtat e grave”, kujtoi Reçi.

Sipas saj, këto norma përforcohen në internet duke qenë se mundësia e anonimitetit që ofron hapësira online u jep njerëzve një ndjenjë sigurie se nuk do të përballen me pasoja.

Lexo më shumë  Murati: Gjithsej 3.6 miliardë euro do të jenë në dispozicion për mbështetje të punëtorëve, familjeve, bizneseve, e sektorëve të tjerë strategjikë

Valët e dezinformimit dhe ndikimi tek agresiviteti i komunitetit ndaj aktivisteve

Rrjetet sociale dhe mediat online jo rrallë herë kthehen në burim dezinformomi, i cili nxit urrejtje dhe sulme ndaj aktorëve të ndryshëm.

“Për mua, një nga periudhat më të vështira ka qenë përhapja e një lajmi të gënjeshtërt, i cili nxiti një urrejtje të jashtëzakonshme ndaj meje dhe ndaj komunitetit LGBTI te publiku”, kujton Karaj, ndërsa thekson se kjo ka qenë një ndër periudhat më sfiduese për të, psikologjikisht dhe profesionalisht.

Pas një pjesëmarrje në një emision televiziv për të folur rreth disa propozimeve ligjore të bëra nga organizatat LGBTI në Angli në lidhje me termat “Prindi 1” dhe “Prindi 2”, disa media online raportuan se kërkesa të ngjashme ishin bërë nga Karaj dhe komuniteti LGBTI në Shqipëri.

Kjo valë dezinformimi që nisi si “një furtunë në gotë” i shënjestroi tërë personat LGBTI në Shqipëri duke i etiketuar si “shkatërrimtarë të familjes”.

“Mua më dehumanizuan personalisht si personi që kërkoi heqjen e termit ‘nënë’”, tha Karaj për BIRN, duke shtuar se kjo u pasua me qindra mesazhe kërcënimesh me vdekje dhe përdhunim drejtuar asaj.

Edhe Ruko ka qenë viktimë e dezinformimit të përhapur ndaj saj dhe lëvizjes politike ku bën pjesë. Ruko kujton se si disa prej komentuesve shpreheshin se “në qëndrën tuaj sociale bëhet orgji”.

Sipas ekspertes Megi Reçi, Kodi Penal dhe legjislacioni që trajton shkeljet në hapësirën digjitale në Shqipëri nuk i trajton motive të tilla si bindjet politike, orientimin seksual apo gjininë.

“Në lidhje me fyerjet dhe shpërndarjen elektronike të përmbajtjeve diskriminuese, apo edhe kërcënimet, Kodi Penal kufizohet vetëm te motivet e racizmit ose ksenofobisë dhe nuk trajton motive të tjera si gjinia, orientimi seksual, bindjet politike/filozofike etj”, shpjegoi Reçi. .

Sipas Xheni Karaj, arsye pse mediat online përdorin gjuhe urrejtjeje është komerciale dhe synon të gjenerojë angazhimin e lexuesve dhe ndjekësve në platformat sociale.

“Mediat që operojnë online e shohin angazhimin e njerëzve përmes komenteve të urrejtjes si një mënyrë për të treguar suksesin e tyre ne treg”, tha ajo.

“Madje, ato i formulojnë titujt dhe lajmet në mënyrë të tillë që të nxisin akoma më tepër angazhimin e njerëzve përmes komenteve të dhunshme”, shtoi Karaj.

Pasojat në shëndetin psiko-emocional

Dhuna e ushtruar online, po ashtu si edhe dhuna fizike, sjell pasoja në shëndetin psiko-emocional të viktimave që shënjestrohen.

“Unë kam pasur probleme me shëndetin mendor dhe kam shpenzuar shumë kohë në gjetjen e një mekanizmi që të më shpëtonte nga depresioni dhe ankthi”, kujton Zhaklin Lekatari, duke theksuar se dhuna virtuale ka të njëjtat pasoja në shëndetin mendor të personave me atë fizike.

Juristja Megi Reçi identifikon disa nga pasojat kryesore të dhunës online, të cilat janë po aq intensive sa ato që vijnë nga dhuna në realitetin fizik.

“Intensiteti i sulmeve me të cilat përballen aktivistet sjell pasoja të tilla si vetëcensura, shkëputja nga rrjetet, shqetësimet e shëndetit mendor, apo edhe rreziku për dhunë fizike”, tha Reçi.

Dhuna që fillon në hapësirën digjitale mund të vërshojë me lehtësi dhe në botën fizike. Xheni Karaj kujton se gjatë periudhës që ajo sulmohej online në lidhje me çështjen “Prindi 1” dhe “Prindi 2”, rrugës njerëz i afroheshin dhe i flisnin me agresivitet.

“Sigurisht që ndjesia konstante e kërcënimit dhe pasigurisë fillon të ndikojë në shëndetin mendor duke nxitur herë pas here probleme me ankthin dhe pagjumësinë”, tha Karaj, duke nënvizuar se mbështetja e saj më e madhe në atë periudhë të vështirë kanë qenë familja, partnerja dhe miqtë e ngushtë.

“Është shumë e rëndësishme të kesh një grup mbështetës, i cili të ofron dashuri, siguri dhe të ndihmon, një katalizator që i kthen sfidat në burim force për të vazhduar misionin tënd”, theksoi ajo, ndërsa shtoi se një mbështetje tjetër e rëndësishme në atë periudhë të vështirë, por edhe sot është psikologia e saj.

“Është e rëndësishme të kuptojmë që ndonjëherë është e domosdoshme të kërkosh ndihmë të specializuar te profesionistët përkatës”, shtoi Karaj.

Ngjashëm, edhe aktivistja Ruko tregon se pavarësisht vështirësive që i është dashur të kalojë, komuniteti ku ajo bën pjesë ka qenë si një familje e madhe që e ka ndihmuar t’i kapërcejë këto episode.

Lexo më shumë  Miratimi i buxhetit 2025, Kurti: Ky buxhet është i qytetarëve dhe për qytetarët

“Personat që të sulmojnë fillojnë merren me imazhin tënd, me figurën tënde, gjithçka që ato bëjnë është e përqendruar te denigrimi yt”, tha ajo.

“Ne gjithçka e kalojmë bashkërisht dhe kjo më ka ndihmuar”, tha Ruko, ndërsa shtoi se “do të kishte qenë shumë e vështirë po të isha vetëm”.

Pandëshkueshmëria ndaj sulmeve online ndikon në uljen e raportimeve

Sipas studimit të IDM-së, nuk është identifikuar asnjë rast i raportuar nga aktivistet që të jetë hetuar penalisht lidhur me sulmet apo kërcënimet online ndaj tyre.

“Të vetmet raste që janë ndjekur efektivisht janë ato që ka trajtuar institucioni i pavarur i Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi”, tha Megi Reçi.

Xheni Karaj tregon se ajo ka një historik të gjatë të raportimit të shkeljeve të të drejtave të njeriut, jo vetëm të sulmeve personale, por edhe të atyre ndaj anëtarëve të tjerë të komunitetit LGBTI, megjithatë shprehet e zhgënjyer prej reagimit të organeve ligjzbatuese.

“Gjatë këtyre 15 viteve të aktivizmit, në asnjë nga rastet e raportuara nuk janë dënuar dhunuesit”, tha ajo.

“Kur dhuna fizike mbetet e pandëshkuar, imagjinoni kërcënimet dhe dhuna kibernetike – e cila është një formë e re dhune, e cila nuk merret seriozisht si nga organet e policisë ashtu dhe nga entet rregullatore mediatike”, shprehet aktivistja e komunitetit LGBTI.

Edhe Zhaklin Lekatari pranon se strukturat ligjzbatuese nuk kanë kapacitetet e duhura për t’i procesuar këto raste.

“Sulmet online nuk përballohen në mënyrë serioze, jo vetëm për shkak të mungesës së kornizës ligjore, por edhe strukturave policore ende të paafta apo pa mjetet e duhura për ndërhyrje”, tha ajo.

Lekatari shtoi se intensiteti i sulmeve me të cilat përballet është aq i lartë sa e ka të pamundur të denoncojë apo të ndjekë 30 deri në 100 raportime në ditë.

Ruko nuk i ka raportuar sulmet online ndaj saj, përveç rastit kur ato kanë kaluar në sulme fizike.

“Procedura është shumë e gjatë dhe efektiviteti shumë i vogël”, theksoi ajo, duke renditur arsyet që e shtyjnë atë të mos raportojë, ndërsa pranon se edhe vetë kultura në Shqipëri nuk i nxit apo ndërgjegjëson njerëzit t’i denoncojnë sulmet në hapësirën digjitale.

Normalizimi i këtyre sulmeve është një tjetër fenomen që ndikon në mungesën e raportimit.

Juristja Reçi tregon se 92% e aktivisteve të pyetura në studimin e IDM-së mbi sulmet ndaj aktivisteve gra nuk ​​besonin se të drejtat e njeriut gëzojnë mbrojtje të barabartë në internet si në botën fizike, kjo sepse në praktikë këto çështje nuk trajtohen seriozisht.

“Më shumë se gjysma e aktivisteve nuk i kishin raportuar sulmet me të cilat ishin përballur”, shpjego Reçi. “Shumë prej tyre i konsideronin shkeljet në internet si një problem rutinë të lidhur me punën ose kërcënim jo serioz”, shtoi ajo.

Mungesa e mekanizmave mbrojtës apo kuadrit ligjor në lidhje me sulmet online në Shqipëri mbetet gjithashtu shqetësim serioz. I vetmi dokument kombëtar i dedikuar për mbrojtjen e aktivisteve është Rezoluta Parlamentare e vitit 2019 për Mbrojtësit e të Drejtave të Njeriut, por kjo rezolutë nuk është ligjërisht e detyrueshme dhe mbetet e pazbatuar në vendin tonë.

Reçit theksoi se Kuvendi ende nuk ka miratuar planin e veprimit për zbatimin e kësaj rezolute, veprim i cili duhej të kishte ndodhur brenda nëntë muajve pas miratimit në vitin 2019./BIRN

YouTube player