Art & Kulturë

Mitrovica në fokus të programeve në kulturë dhe trashëgimi kulturore

Shkruan: Hajrulla Çeku

Kemi nisur restaurimin e shtëpisë së Xhafer Devës, një monument i rëndësisë së veçantë. Pas përfundimit të punëve restauruese, monumenti do të jetësohet me funksione institucionale dhe komunitare.

Në mbrojtje të trashëgimisë kulturore të rajonit të Mitrovicës do të bëhen edhe disa ndërhyrje restauruese. Gjatë vitit 2022 do të ndërhyjmë në Hamamin e Qytetit, xhaminë e djegur “Mulla Ilaz Broja” në Brojë të Skënderajt, xhaminë e Mazhiqit, përfshi projektet për revitializim të qytetit të vjetër të Trepçës dhe ekspozitën e përhershme në Kompleksin e kullave të Isë Boletinit.

Në kuadër të masave emergjente gjatë këtij muaji do të nisin ndërhyrjet me karakter shpëtimi në Xhaminë e Mazhiqit, Kishën Katolike Sase në Stantërg dhe Shtëpinë e Islam Shipollit, ndërsa grupi i dytë i ndërhyrjeve emergjente do të definohet javëve në vijim.

Muzeu i Qytetit dhe Muzeu i Kristaleve janë institucione të rëndësisë së veçantë për kulturën dhe trashëgiminë kulturore jo vetëm të Mitrovicës. Nga diskutimet me zyrtarët e muzeve u njoftuam për sfidat aktuale dhe potencialin e madh zhvillimor të këtyre institucioneve. Ministria gjatë vitit 2022 do të zbatojë programin e investimeve në një numër të konsiderueshëm të muzeve në gjithë vendin.

Teatri i qytetit të Mitrovicës vazhdon të funksionojë në kushte të vështira. Ministria e Kulturës ka mbështetur dy shfaqjet e këtij teatri në fund të vitit të kaluar, si pjesë e Programit të Ringjalljes. Megjithatë, sfidat edhe më tej janë të mëdha, veçanërisht ato infrastrukturore. Gjatë këtij viti kemi planifikuar disa ndërhyrje renovuese në ndërtesat e institucioneve të kulturës, ndërsa teatrot e qyteteve do t’i trajtojmë me prioritet.

Gjatë qëndrimit në Mitrovicë i vizituam edhe Qendrën Rajonale të Trashëgimisë Kulturore, Bibliotekën Komunale dhe Arkivin Ndër-komunal. Gjithashtu, si vazhdimësi e diskutimeve me komunitetin artistik për procesin e reformës kulturore, mbajtëm takim me organizatat e skenës së pavarur kulturore të Mitrovicës. Së shpejti do të organizojmë një diskutim të gjerë me komunitetin e kulturës dhe trashëgimisë kulturore në Mitrovicë, për të vazhduar me komunat e tjera të Kosovës, në përpjekjen tonë për të dëgjuar secilin dhe hartuar bashkërisht dokumentet e reformës në kulturë, nga koncept dokumenti deri te ligji unik dhe strategjia kombëtare për zhvillimin e kulturës.

Lexo më shumë  Kartolina, dritarja prej ku bota u njoh dhe u magjeps me bukurinë e gruas dhe veshjen tradicionale shqiptare

Vizitën në Mitrovicë e përmbyllëm me vizitën në Kullën e familjes Kadriu, e cila gjendet në lagjen Kroi i Vitakut. Brenda kullës qëndron e hapur për vizitorë galeria me ekspozitën e përhershme të pikturave të artistit të ndjerë Kadri Kadriu, të vrarë nga forcat serbe ne mars të vitit 1999. Në hapësirën tjetër të galerisë, vazhdon të qëndrojë e hapur ekspozita e Hajriz Kadriut, e financuar nga Ministria e Kulturës, me motive nga arkeologjia dhe etnografia shqiptare. Hajrizi është nipi i piktorit të ndjerë Kadri Kadriu, djali i Ali Kadriut, i cili na priti dhe shoqëroi gjatë kësaj vizite, duke na paralajmëruar për ekspozitën e tij të skulpturës.
  

YouTube player