KryesoreLajme

Misioni i BE-së për Vëzhgimin e Zgjedhjeve: Vuçiqi ndërhyri me presion

Serbia ka ndërhyrë në procesin zgjedhor të Kosovës, ka deklaruar shefja e Misionit të Bashkimit Evropian për Vëzhgimin e Zgjedhjeve (EOM), Nathalie Loiseau. Ajo ka thënë se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe zyrtarë të tjerë nga Beogradi kanë bërë presion që të votohet një listë e caktuar.

Për ndërhyrje e ka cilësuar edhe deklaratën e emisarit për misione të posaçme i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Richard Grenell, që pati kritikuar kryeministrin dhe kandidatin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

“Kemi dëgjuar zyrtarë të Serbisë që mbështesin një listë të caktuar, e cila është ndërhyrje në procesin zgjedhor. Po ashtu, ishim dëshmitarë të ndërhyrjes nga dërguari i posaçëm i SHBA-së, [Richard]Grenell, dhe kjo është e pafat, shokuese dhe jo diplomatike. Kemi dëgjuar rregullisht presidentin [serb] Vuçiq, por edhe anëtarë të tjerë nga qeveria ose parlamenti i Serbisë, duke u thënë votuesve se duhet të votojnë për një listë të caktuar, dhe kjo nuk duhej të kishte ndodhur”, ka deklaruar ajo në një intervistë për KosovaPress.

Ajo ka kritikuar Lëvizjen Vetëvendosje për gjuhën e përdorur në fushatë.

“Kishte një shumëllojshmëri listash, që natyrisht është e mirë, duke përfshirë shumicën e komunave dhe parti politike joshumicë. Tonaliteti i fushatës ndonjëherë ishte mjaft i ashpër. [Kishte] Më shumë kritikë ndaj kundërshtarit sesa promovim të programit. Ishte veçanërisht e ashpër për kandidatet gra, në takime, tubime dhe online. Për këtë më vjen shumë keq, sepse është një pengesë për gratë që të hyjnë në politikë, dhe nuk duhet të jetë kështu. Media bënë më të mirën për të intervistuar kandidatët nga parti të ndryshme politike, por siç e dimë të gjithë, partia në pushtet vendosi të mos marrë pjesë në disa debate ose të shkojë në disa intervista në disa media, dhe është një turp, sepse duhet të sigurojmë që votuesit të kenë mundësi të informohen dhe të dëgjojnë gjithçka, dhe për partitë e vogla mbulimi mediatik nuk ishte i barabartë”, ka thënë ajo.

Lexo më shumë  Kosova dhe Gjermania nënshkruajnë marrëveshje për transportin ndërkombëtar rrugor të udhëtarëve dhe të mallrave

Loiseau gjithashtu ka thënë se personat me aftësi të kufizuara kanë pasur probleme të qasen në disa vendvotime.

“Pamë që votuesit mund të votonin, megjithatë kishte probleme me qasjen në disa qendra votimi për votuesit me aftësi të kufizuara. Kishte shumë pasiguri për mënyrën se si të zbatohej ligji zgjedhor në lidhje me votimin me asistencë, sepse nëse shikoni ligjin, nëse kërkoni votim me asistencë, duhet të paraqisni një certifikatë, dhe nuk kam parë asnjë qendër votimi që të ketë kërkuar një certifikatë. Ndoshta kjo duhet të sqarohet. Por, atmosfera ishte shumë e qetë, dhe njerëzit ishin vërtet të interesuar që demokracia të jetë diçka e gjallë në Kosovë”, përfundon ajo.

Lexo më shumë  Mbi 84 mijë vota nga diaspora

Mbi 100 vëzhgues nga Bashkimi Evropian janë angazhuar ditën e zgjedhjeve më 9 shkurt, për çka Loiseau konsideron se ishte proces paqësor.

Kosova mbajti të dielën zgjedhjet e para të rregullta që prej shpalljes së pavarësisë më 2008.

Të drejtë vote në Kosovë kanë pasur mbi 1 milion e 970 mijë votues, ndërkaq numri i qytetarëve që kanë votuar më 9 shkurt është mbi 800 mijë.

Sipas rezultateve preliminare, Lëvizja Vetëvendosje është e para me 40.86%, pasohet nga Partia Demokratike me 22.04%, Lidhja Demokratike me 17.62% dhe koalicioni AAK-Nisma me 7.45%.

Rezultatet preliminare nuk përfshijnë votat me kusht, votat e personave me aftësi të kufizuara dhe votat e diasporës.

Rruga Press

YouTube player