Miratohet drafti final i Strategjisë për Drejtësi Tranzicionale
Sot është mbajtur takimi i fundit i Grupit Punues për Hartimin e Strategjisë për Drejtësi Tranzicionale, gjatë së cilës është miratuar në parim drafti final, i cili pritet që shumë shpejtë të procedohet në qeveri.
Sipas njoftimit të ministrisë së Drejtësisë, drejtuesja e këtij institucioni, Albulena Haxhiu ka thënë se kjo strategji do të adresojë krimet e luftës.
“Ministrja Haxhiu tha se kjo strategji synon t’i adresojë me përpikëri krimet e tmerrshme të kryera gjatë luftës dhe nevojat e shumta të grupeve të viktimave që janë shfaqur në 24 vitet pas përfundimit të konfliktit”, thuhet në njoftimin e MD-së.
Tutje sipas saj, strategjia do të shërbejë si platformë gjithëpërfshirës që synon promovimin e kulturës së respektimit të të drejtave të njeriut, të vërtetës, drejtësisë dhe kohezionit social në Kosovë.
Sa i përket kësaj strategjie janë zhvilluar 30 takime me fokus grupe, nga to, 22 takime kanë qenë të planifikuara me komunitetin shumicë dhe 8 me komunitetet.
Rruga Press