Lajme

Ministrja Nagavci tregon cilët mësimdhënës do t’i nënshtrohen të parët provimit për licencë të avancuar

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka treguar se mësimdhënësi klasor dhe ata të lëndës së gjuhës shqipe dhe matematikës do të jenë të parët që do të kenë mundësinë t’i nënshtrohen provimit me shkrim për të fituar licencën e avancuar.

Në prezantimin e udhëzuesit dhe pakos së instrumenteve për realizimin e vlerësimit të brendshëm të performancës së mësimdhënësve, Nagavci nuk dha një datë të saktë kur do të fillojë procesi i nënshtrimit të provimit kualifikues.

Lexo më shumë  Gërvalla: Drafti siguron respektimin e Kushtetutës dhe pamundëson ndërhyrjet nga jashtë

“Për licencë të avancuar në fazën e parë, gjatë verës së këtij viti, provimi për licencën e avancuar do të zhvillohet për mësuesit klasorë nga klasa e parë deri në klasën e pestë, për mësuesit e gjuhës shqipe dhe ata të matematikës. Menjëherë në fazën e dytë do të zgjerohet edhe me mësimdhënësit e tjerë. Datë sot nuk mund të përmendim pasi është aplikimi, është vlerësimi i brendshëm, ata 750 mësimdhënës të cilët tashmë kanë licencën e karrierës kanë të drejtë t’i nënshtrohen menjëherë, por do të kemi informata dhe njoftime të vazhdueshme”, ka thënë ajo. 

Mësimdhënësit që do të fitojnë këtë licencë do të marrin edhe pagë më të lartë. Për të fituar këtë licencë ata fillimisht duhet të pajisen me licencë të karrierës dhe të kenë së paku 200 orë zhvillim profesional.

Pasi të kalojnë provimin, mësimdhënësit duhet t’i nënshtrohen procesit të vlerësimit nga Inspektorati i Arsimit.

Rruga Press

YouTube player