Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës i reagon Serbisë, pasi kundështoi njohjen e Kosovës nga Kenia: Qeveria e Serbisë ka zbuluar fytyrën e tyre të vërtetë, duke treguar sërish se nuk kanë asnjë interes për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka reaguar ashpër ndaj deklaratës së fundit të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Serbisë, e cila kundërshton vendimin e Republikës së Kenias për njohjen e Kosovës.
Në një komunikatë për media, MPJD e Kosovës theksoi se kjo është një tjetër dëshmi që Serbia nuk ka asnjë interes për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.
“Edhe një herë, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Qeveria e Serbisë kanë zbuluar fytyrën e tyre të vërtetë, duke treguar sërish se nuk kanë asnjë interes për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën,” thuhet në reagimin e MPJD-së.
Për më tepër, Ministria e vlerësoi si një veprim të papranueshëm deklaratën e Serbisë, duke theksuar se “Serbia vazhdon fushatën e saj të gënjeshtrave, manipulimeve dhe propagandës kundër Kosovës, duke përdorur çdo mjet në dispozicion për të penguar vendin tonë në rrugën drejt integrimit të plotë në mekanizmat ndërkombëtarë.”
MPDJ e Kosovës përmendi se ky veprim është një vazhdim i sjelljeve të Serbisë, e cila ka shpërfillur vazhdimisht zotimet e saj për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, ashtu siç parashikohet në kuadër të Dialogut për Normalizimin e Marrëdhënieve, të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.
“Kjo nuk është hera e parë që Serbia i shpërfill hapur zotimet e saj ndaj Bashkimit Evropian. Duke refuzuar njohjen e Kosovës dhe duke shtrembëruar parimet juridike ndërkombëtare, Serbia sfidon hapur detyrimet e saja të përcaktuara me nenet 1–5 të Marrëveshjes për Rrugën drejt Normalizimit, të arritur në kuadër të dialogut të Brukselit. Refuzimi i Serbisë për të zbatuar këto zotime konfirmon edhe më tej mungesën e vullnetit të mirë dhe sinqeritetit në procesin e normalizimit”, thuhet në reagim.
Rruga Press