Lajme

Ministria e Financave harron të raportojë vlerën e investimeve te incineratori i Tiranës

Nga Gjergj Erebara

Ministria e Financve publikoi së fundmi raportin vjetor të ecurisë së kontratave koncesionare për vitin 2021, pas këmbënguljes së përsëtirur të medias, por në raportin e publikuar, disa të dhëna kyçe, të tilla si vlera e investimeve të kryera në incineratorin e Tiranës, në mënyrë misterioze, mungojnë.

Raporti, i cili mund të gjendet në faqen e internetit të Ministrisë së Financave, vëren se projekti koncesionar për ndërtimin e rrugës së Arbrit nuk ka realizuar investimet e planifikuara por edhe në këtë rast, nuk flet për kompensim për taksapaguesit për këtë vonesë në realizim.

Raporti njofton gjithashtu se kontrata koncesionare për ndërtimin e segmentit rrugor Milot-Balldre përfundimisht ka dështuar dhe se qeveria ka njoftuar kompaninë koncesionare për ndërprerjen e kontratës.

Ministria e Financave u detyrua nga ligji “Për koncesionet/PPP” në vitin 2018 që të raportojë në Kuvendin e Shqipërisë dhe për publikun e gjerë për ecurinë e kontratave, në veçanti për kostot e tyre dhe për ecurinë e planeve të investimeve të kontraktuara nga qeveria me operatorët privatë, me synimin e mbajtjes llogaridhënëse të qeverisë.

Lexo më shumë  Kurti takon Baerbockun: Gjermania, kyçe për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës

Raporti i publikuar së fundmi paraqet ecurinë e kontratave koncesionare gjatë vitit 2021.

Nuk ka vlerë investimi për landfillin e Tiranës

Qeveria shqiptare nënshkroi një kontratë koncesionare me një grup biznesmenësh kontrovers në vitin 2017. Kontrata parashikonte një investim në masën 17.1 miliardë lekësh që duhej të kryhej nga kompania private në këmbim të të ardhurave mikse nga buxheti i shtetit si dhe nga tarifat e përdorimit, të ardhura që vlerësohet të arrijnë në së paku 50 miliardë lekë në tre dekadat e ardhshme.

Kontrata parashikon mes të tjerash edhe ndërtimin e një incineratori për djegien e plehrave dhe prodhimin e energjisë elektrike, projekt që ka shqetësuar Bashkimin Evropian, i cili promovon ekonominë qarkulluese, pra riciklimin dhe jo djegien.

Gjithsesi, në landfillin e Tiranës aktualisht nuk vërehet se po punohet për ndërtimin e ndonjë objekti, të tillë si incineratori ndërsa Ministria e Financave pati raportuar në raportin e mëparshëm se pajisjet për impjantin “janë porositur” por nuk janë vendosur ende në situacionin e punimeve.

Lexo më shumë  Sulmi në Banjskë, edhe dy muaj paraburgim ndaj tre serbëve të dyshuar

“…janë kryer dhe porositë e pjesëve përbërëse të impiantit të cilat nuk janë situacionuar ende, pasi situacionohen në momentin që vijnë në kantier. Vlera e investuar për porositë e këtyre pjesëve të impiantit është 30 milion Euro,” shkruhet në raportin për ecurinë e koncesioneve të vitit 2020.

Ndryshe nga ky raport, në raportin e vitit 2021, Ministria e Financave harron të përmendë se si kanë ecur investimet në këtë koncesion.

Raporti thotë se Bashkia Tiranë dhe bashkitë e tjera kanë kryer 100% detyrimin kontraktor për pagesat për kompaninë ndërsa sa i përket investimit të saj, për këtë nuk ka të dhëna./ BIRN

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *