KryesoreLajme

Ministri Vitia: Gjysma e rasteve me kancer të gjirit po diagnostifikohen në stadet e hershme

Ministria e Shëndetësisë, me rastin e muajit të Ndërgjegjësimit për Kancerin e Gjirit, ka lansuar fushatën ndërgjegjësuese me moton “Kancerin e gjirit e mposhtim së bashku”.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë se kontrollet e shpeshta në rast të ndryshimeve dhe mamografia janë shumë të rëndësishme për parandalimin dhe shërimin e kësaj sëmundjeje.

Ai ka thënë se në dy vjetët e fundit, mbi 50 për qind e grave të diagnostikuara me kancer të gjirit kanë qenë në stadin e parë ose të dytë. Kjo sipas tij, tregon vetëdijesimin te gratë dhe rritë mundësitë për një trajtim të suksesshëm.

“Vetë kontrollet e shpeshta në rast të ndryshimeve dhe mamografia janë shumë të rëndësishme për parandalimin dhe shërimin e kancerit të gjirit. Vitin e kaluar për herë të parë filluam me shërbimin e mamografisë mobile në komunat veriore. Jemi duke punuar edhe në decentralizmin e onkologjisë në vende të tjera. Lista e barnave esenciale është zgjeruar tani në 60 milionë euro, vetëm në onkologji janë 5 milion euro. Operacionet për rikonstruktimin e gjirit ofrohen falas në shëndetësinë publike. Inkurajoj të gjitha gratë edhe burrat që të konsultohen vazhdimisht me mjekun e tyre. Pjesa thelbësore mbetet ndërgjegjësimi dhe vetë kontrolli. Është lajm shumë i mirë se gjatë dy vjetëve të fundit kemi pasur rritje në zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit, mbi 50 për qind e grave të diagnostikuara me këtë sëmundje janë në stadin e parë dhe dytë, gjë që tregon vetëdijesimin te gratë por rritë edhe mundësitë për trajtim të suksesshëm”, ka thënë ai.

Lexo më shumë  Flamuri bashkon shqiptarët, qytetarët e Kosovës rezervojnë në Shqipëri për festat e nëntorit

Një nga të mbijetuarat e kancerit të gjirit, njëherësh drejtoreshë e Qendrës Kosovare për Luftimin e Kancerit të Gjirit  “Jeta/Vita”,  Nafije Latifi, ka thënë se sot në Kosovë gratë e kanë të mundshme diagnostikimim dhe trajtimin e kompletuar të kancerit të gjirit.

“Sfida ime me kancer të gjirit filloi para 20 vjetësh. Ishte rrëfimi i parë publik sepse tema ishte tabu, ishte rrëfimi me qëllim vetëdijesimin dhe informimin për sëmundjen dhe nevojën e kontrollit. Sot nëpër këto sfida kalojnë çdo vit rreth 450 gra me raste të reja. Por këto gra kanë fat, sepse sot në Kosovë është i mundshëm diagnostikimi dhe trajtimi  i kompletuar i kancerit të gjirit, edhe pse ka nevojë ende për përmirësim të kushteve”, ka thënë ajo.

Lexo më shumë  “Mitrovica pa kryetar”, VV-ja në Mitrovicë shpallë në kërkim Hamzën

Edhe drejtoresha e Radiologjisë në QKUK, Shkëndije Nuza, ka thënë se është shumë i rëndësishëm diagnostikimi i hershëm i kësaj sëmundjeje. Ajo ka theksuar se kanceri i gjirit mund t’i prekë edhe burrat, jo vetëm gratë. 

“Kanceri i gjirit prek jo vetëm gratë, që është një në 8 gra që sulmohen nga kanceri i gjirit, por është sëmundje që prek edhe gjininë mashkullore. Detektimi i hershëm i kancerit shpëton jetë. Ne duhet gjithmonë t’i kushtojmë një rëndësi të madhe atyre që janë prekur”, ka thënë ajo. /EO

YouTube player