Ministri rus i Mbrojtes urdhër të prerë ushtrisë: Shtroni operacionet ushtarake në Ukrainë
Ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu, ka urdhëruar ushtrinë që t’i shtojë operacionet në Ukrainë, në përpjekje për ta marrë kontrollin e plotë të rajonit lindor të Donetskut, raportoi AP-ja të hënën.
Shoigu tha se operacionet duhet intensifikuar edhe me qëllim që sipas tij, “të parandalohen sulmet ukrainase mbi infrastrukturë civile e te banorët në Donbas e gjetkë”.
Ai tha se brenda dy ditëve të fundit u vranë 600 ushtarë ukrainas, pas sulmeve ajrore mbi Siversk.
Ushtria ruse besohet se është fokusuar në riorganizimin e forcave në përgatitje për ofensivën tjetër tokësore në shkallë të plotë. Kjo vjen pas deklaratës së saj më 3 korrik, se ka marrë kontrollin e plotë të rajonit lindor të Luhanskut.
Instituti Amerikan për Studimin e Luftës tha se forcat ruse synojnë t’i japin fund “pauzës” operacionale.
Trupat ukrainase kanë shtuar presionin në vijën mbrojtëse ruse në rajonin jugor të Khersonit tash e një muaj.
Çfarë ka ndodhur 24 orët e fundit në Ukrainë?
Beteja për Ukrainën jugore po nxehet, me Rusinë që dërgon përforcime në perëndim nga Mariupoli, ndërsa forcat e saj sulmohen nga armët ukrainase me rreze të gjatë.
Zyrtarët ukrainas thonë se një rrjedhë e qëndrueshme e pajisjeve ushtarake ruse po lëviz në perëndim nga Mariupoli drejt pjesëve të tjera të Ukrainës jugore, ku forcat ukrainase janë në ofensivë. Sipas zyrtarëve ukrainas, një kolonë prej deri në 100 njësi të pajisjeve ushtarake kaloi përmes Mariupolit në drejtim të Zaporizhzhias të shtunën. Disa analistë të pavarur besojnë se kjo është për të mbështetur forcat ruse në Kherson që janë sulmuar nga armët ukrainase me rreze të gjatë.
Ushtria ukrainase thotë se forcat ruse po përpiqen të eliminojnë pozicionet e saj mbrojtëse në Donetsk, me qytetin Siversk prioriteti i tyre i menjëhershëm. Pas tërheqjes nga qyteti i Lysychansk muajin e kaluar, ukrainasit duket se po mbrojnë terrenin më në perëndim me këmbëngulje.
Presidenti ukrainas Zelenski ka shkarkuar Prokurorin e Përgjithshëm dhe kreun e Shërbimit të Sigurisë, duke thënë se shumë zyrtarë në të dy departamentet dyshohen për tradhti dhe bashkëpunim me Rusinë. Ai tha se 651 procedime penale ishin regjistruar në lidhje me tradhtinë dhe bashkëpunimin dhe se “më shumë se 60 punonjës të zyrës së prokurorisë dhe Shërbimit të Sigurisë të Ukrainës kanë mbetur në territorin e pushtuar dhe po punojnë kundër shtetit tonë”.
Mes të arrestuarve të dyshuar për tradhti është edhe ish-kreu i Drejtorisë kryesore të Shërbimit të Sigurisë në Krime.
Një funeral u mbajt të dielën për një vajzë 4-vjeçare që vdiq gjatë sulmeve ruse në qytetin qendror të Ukrainës, Vinnytsia. Transmetuesi ukrainas Suspilne transmetoi video të funeralit të së dielës për Lizën.
Rruga Press