Lajme

Ministri Murati fton pensionistët që u larguan nga puna në vitet 90-ta, që të aplikojnë për të fituar pensionin e plotë

Pasi në fund të muajit korrik Kuvendi i Kosovës e ka miratuar projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për skemat pensionale të financuara nga shteti, i cili do t’ua njohë mijëra qytetarëve të drejtën e pensionit kontribut-pagues, tashmë është hapur edhe aplikimi.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve (MFPT), Hekuran Murati tha se të gjithë pensionistët që për shkak të largimit të dhunshëm nga puna në vitet 90-ta nuk kanë arritur ti plotësojnë 15 vite stazh, e që tash marrin vetëm pensionin bazik, do të kenë mundësinë që të kalojnë në kategorinë e pensionit parcial kontributiv, nëse i plotësojnë kriteret ligjore sipas ndryshimeve ligjore të miratuara nga Kuvendi.

Por, para se të fillojë zbatimi i skemës së re, ministri MUrati i ka ftuar të gjithë pensionistët të regjistrohen në formularin e publikuar nga MFPT deri në fund të muajit gusht, ashtu që zyrat e pensioneve pastaj t’i ftojnë sipas radhës për paraqitjen e aplikacionit për kalim në skemën parciale kontributive në mënyrë që të evitohen pritjet e gjata para sporteleve.

Lexo më shumë  Konjufca priti në takim Kryetarin e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi

Formulari i regjistrimit:

https://info-pensionet.rks-gov.net/?fbclid=IwAR0eH-Y1ALlZs9rGPpTFdkCZp4QGwVkZRmfJndSwtGo0CAd_VRZuOjd6PaI

Në ligjin e ri – skemën e re janë futur të gjithë qytetarët të cilët janë larguar nga puna në vitet e ’90, e të cilëve nuk u është njohur kontributi, dhe si pasojë, nuk e kanë plotësuar kriterin prej 15 vjetësh stazh, për të përfituar nga pensioni kontribut-pagues.

Krijimi i një skeme të re pensionale përmes ndryshimeve në ligjin aktual për pensione, u bë pasi Gjykata Kushtetuese e Kosovës më 2022 shfuqizoi paragrafin 2 të nenit 8 të ligjit për skemat pensionale, pasi konstatoi se ky nen pa të drejtë iu mohoi mijëra qytetarëve të drejtën e pensionit kontribut-pagues.

Lexo më shumë  Muja: Kontratat njëburimore janë përgjysmuar, propaganda e opozitës është e pabazë

Ligji aktual për skemat pensionale parasheh të drejtën e përfitimit nga pensioni kontribut-pagues vetëm për ata persona që dëshmojnë se kanë kontribuar për 15 vjet në ish-Fondin Pensional.

Për personat që u larguan dhunshëm nga puna nga regjimi i atëhershëm serb, nuk u mundësua që të gëzonin pensionin kontribut-pagues, për shkak se nuk përmbushnin kriterin prej 15 vjetësh përvojë pune.

Sipas vlerësimeve të Qeverisë së Kosovës, aktualisht, në skemën e pensionit bazik duhet të jenë rreth 70.000 persona që realisht do të duhej të kualifikoheshin për pensionin parcial kontributpagues të moshës.

Kjo skemë e re pensionale për personat që u larguan nga puna në vitet ’90, llogaritet se do t’i kushtojë shtetit rreth 60 milionë euro në vit./KosovaNews

Rruga Press

YouTube player