Ministri Muja nënshkruan vendimin: Nis ekzekutimi i pagesave për subvencionet bujqësore të vitit 2025
Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja ka nënshkruar vendimin për autorizimin e pagesës së detyrimeve të mbetura nga Programi i Pagesave Direkte për vitin 2025.
Sipas njoftimit për media, mn këtë vendim, Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë (AZHB) obligohet të procedojë menjëherë me ekzekutimin e pagesave për të gjithë përfituesit e verifikuar të subvencioneve bujqësore sipas listave përfundimtare të miratuara në kuadër të Programit për Pagesa Direkte për vitin 2025.
“Pagesat do të realizohen nga buxheti i miratuar i Republikës së Kosovës, në përputhje me alokimet buxhetore për sektorin e bujqësisë dhe procedurat e zbatueshme të Thesarit të Republikës së Kosovës.Me hyrjen në fuqi të buxhetit dhe përmbushjen e kushteve të nevojshme financiare dhe procedurale, është krijuar mundësia për procedimin e pagesave të mbetura për përfituesit e programit”,thuhet në njoftim.
Departamenti për Buxhet dhe Financa në AZHB, në bashkëpunim me Thesarin e Republikës së Kosovës, është obliguar të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për realizimin e pagesave në përputhje me legjislacionin në fuqi për menaxhimin e financave publike.
Sipas vendimit, Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë duhet të raportojë tek Ministri brenda pesë (5) ditëve për progresin e realizimit të pagesave.
Rruga Press

