Ministri Latifi flet për gjendjen me COVID-19 në Kosovë, paralajmëron masa shtrënguese nëse ka nevojë
Doktor Rifat Latifi, kirurgu shqiptaro amerikan, me prejardhje nga Kosova u rikthye në vendlindje pas më shumë se 36 vjetësh qëndrimi në Shtetet e Bashkuara. Latifi i njohur me arritjet e tij në fushën e mjekësisë dhe tele-mjekësisë u emërua një muaj më parë ministër i Shëndetësisë në Kosovë.
Zoti Latifi, i cili ka studiuar në Universitetin të Prishtinës për të vazhduar specializimet për kirurgji të përgjithshme, traumatologji dhe reanimacion në Shtetet e Bashkuara, është profesor dhe drejtues i departamentit të Kirurgjisë në Kolegjin e Mjekësisë së Nju Jorkut.
Në intervistën e parë si ministër dhënë Zërit të Amerikës, ministri Latifi thotë se që nga shkuarja në Amerikë, ëndërr e kishte rikthimin në Kosovë.
“Unë e lexova një ditë një intervistë që i kam dhënë një mikut tim Milazim Krasniqit që është botuar në “Fjala” në vitin 1991 edhe mes tjerave unë atëherë kam qenë në Hjuston të Teksasit dhe merresha me hulumtime shkencore, e pyetja e fundit e Milazim Krasniqit thotë a do të kthehesh në Kosovë? E përgjigja ime atëherë ka qenë, po, dhe nëse mbetëm atje ku jam mos më numëroni ndër të gjallët”, tha ai.
Ministri Latifi thotë se secili shqiptar duhet të kthehet në vendlindje për të dhënë kontributin për vendin.
“Secili duhet të kthehet në vendin tonë sepse ne i kemi borxh shumë kësaj toke, i kemi borxh shumë këtyre njerëzve, i kemi shumë borxh popullit tonë që na ka shkollu, na ka eduku pa asnjë cent. Nëse edukohemi këtu dhe shkojmë jashtë vendit menjëherë apo kurdo që shkojmë dhe nuk i kthejmë borxhin Kosovës atëherë kemi problem të madh me vetveten”, tha ai.
Ministri Latifi mori detyrën e ministrit të Shëndetësisë në një kohë kur vendi po përballet me pandeminë e koronavirusit, një virus ky që ka shkaktuar vdekjen e afro tre mijë qytetarëve të Kosovës. Ai thotë se aktualisht gjendja me COVID-19 është e qëndrueshme por nuk mund të ketë lehëtsim masash kufizuese.
“Vendet në Evropë kanë një numër shumë të rritur me COVID-19 kanë probleme të jashtëzakonshme nëpër spitale, ndonëse e kanë sistemin shëndetësor shumë më të zhvilluar se ne. Ne për fat e kemi një gjendje shumë stabile epidemiologjike por ne duhet të jemi të kujdesshëm që kjo të mos na keqësohet ngase mund të keqësohet brenda ditës prandaj ne jemi gati për çdo ditë duke analizuar gjendjen epidemiologjike edhe me marr masa tjera nëse ka nevojë, tash për tash jemi mirë”, tha ai.
Ministri Latifi thotë se deri më sot nuk është regjistruar asnjë rast me variantin e ri Omicron të koronavirusit.
“Ne i marrim mostrat epidemiologjike që i dërgojmë jashtë vendit edhe ndoshta mund të kemi tani por deri më tash nuk kemi asnjë, shancat janë shumë të mëdha që edhe ne të kemi sikurse vendet e botës”, tha ai.
Kosova deri më tash ka vaksinuar më shumë se 60 për qind e popullsisë mbi 18 vjeçe kundër COVID-19. Por majt e fundit është shënuar rënie e interesimit për t’u vaksinuar. Aktualisht në Kosovë ka filluar vaksinimi edhe me dozë përforcuese apo dozën e tretë për të mbrojtur qytetarët nga variantet e reja të COVID-19. Ministri Latifi thotë se vaksinimi është e vetmja mënyrë për të parandaluar vdekjet dhe shtrirjet në spital.
Doktor Latifi thotë se ka ardhur në Kosovë që të çojë përpara proceset për të përmirësuar sistemin shëndetësor që sipas tij ka nevojë për rikonstruktim të përgjithshëm.
“Me rëndësi ka me qenë që ne ta kthejmë autoritetin e mjekëve, ta kthejmë autoritetin dhe përgjegjësinë e specializantëve, ta ristrukturojmë në mënyrë komplete edukimin e kuadrove në mënyrë që nesër të merren me shëndetin e Kosovës”, tha ai.
Zoti Latifi e ka renditur ndër përparsitë e punës së tij zvogëlimin e numrit të mjekëve që largohen nga vendi.
“Edukimi i kirurgëve dhe gjithë mjekëve duhet me të vërtetë të rikonstrukturohet shumë mirë dhe duhet të kemi shembuj nga e gjithë bota por unë anoj më shumë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në realitet anoj tërësisht sa i përket edukimit post-diplomatik dhe që ne duhet ta krijojmë një agjenci që merret ekskluzivisht me përgatitjen e kuadrove të ardhshme. Nëse nuk e bëjmë këtë, ne kemi me humb edhe më shumë specialista e specializantë edhe kuadro tjera infermierët sepse nuk janë vetëm mjekët që po ikin”, tha ai.
Ministri Latifi gjatë vitit 1987 deri në fillim të viteve të 90-ta ka bashkëpunuar me Zërin e Amerikës duke u përgjigjur pyetjeve të shqiptarëve nëpër botë për më të rejat shëndetësore. Zoti Latifi i kujton ato ditë si periudhën jashtëzakonisht të mira për të.
“Unë shumicën e kohës kur jam përgjigjur letrave të dëgjuesve të Zërit të Amerikës kam qenë në Hjuston të Teksasit, më dukej shumë shumë larg prej tokave tona shqiptare por të ju them të drejtën sa herë që e kam marr një letër prej gjitha tokave shqiptare, prej Çamërisë, prej Evropës, vendeve tjera, prej Shqipërisë, Kosovës, Malit të Zit, prej Greqisë edhe më ulët se Çamëria, mua më dukej se një cop toke e Kosovës ka ardh në Hjuston. Kjo ka qenë për mua një detyrim i madh që t’i njoftojmë pacientët me lëvizjet e fundit shkencore në ecuritë e tyre, kështu që unë i kujtoj ato me një kënaqësi të jashtëzakaonshme edhe me një mallëngjim të them të drejtën të madh për këtë, unë falenderoj Zërin e Amerikës sepse që nga atëherë ne kemi pasur një marrëdhënie të shkëlqyeshme, të vazhdueshme dhe mbulesat e juaja edhe për programin telemjekësisë në Kosovës e sidomos programit të telemjekësisë në Shqipëri kanë qenë madhështor”, tha ai./VOA