KryesoreLajme

Ministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu: Gjykata Kushtetuese ka dy rrugë – ose e mbyll çështjen e Kuvendit, ose shpall zgjedhje të reja

Ministri i Drejtësisë së Kosovës, Blerim Sallahu, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për të vendosur masë të përkohshme mbi konstituimin e Kuvendit. Ai tha se Kushtetuesja ka vetëm dy rrugë të vlefshme dhe të bazuara në Kushtetutë.

“E para,” theksoi Sallahu, “është që Gjykata të vlerësojë mbi bazën e nenit 67, paragrafi 4 të Kushtetutës, se refuzimi i Listës Serbe për të propozuar kandidatin e saj për nënkryetar të Kuvendit, nënkupton dorëheqje nga e drejta për nominim. Si rrjedhojë, Kuvendi tashmë e ka përmbyllur fazën e konstituimit.”

Lexo më shumë  Kurti mori pjesë në takimet rajonale të Njësive për Inteligjencë Financiare

Ai kujtoi se një situatë e ngjashme ishte trajtuar më parë nga Gjykata Kushtetuese në rastin e formimit të qeverisë, ku mosparaqitja e mandatarit u interpretua si humbje e të drejtës kushtetuese për të propozuar mandatarin.

“E dyta,” shtoi Sallahu, “është fakti që Kuvendi tashmë ka ezauruar edhe procedurën e shortit, siç përcaktohet në Rregullore, me tri herë për secilin kandidat. Kjo do të thotë se aktgjykimi i mëparshëm i Kushtetueses është zbatuar plotësisht. Në këtë situatë, Gjykata duhet të autorizojë Presidenten e vendit që të shpallë zgjedhje të jashtëzakonshme, në bazë të nenit 82 të Kushtetutës, sipas analogjisë.”

Lexo më shumë  Serwer: Serbia mbetet burimi kryesor i destabilizimit në Ballkan

Ministri paralajmëroi se çdo vendim tjetër, që del jashtë këtyre dy opsioneve, do të ishte kundërkushtetues dhe do ta bënte Republikën e Kosovës të varur nga Lista Serbe, një subjekt që, sipas tij, çdo ditë minon rendin kushtetues të vendit.

YouTube player