Bota

Ministrat e Jashtëm të BE-së pajtohen për angazhim të një misioni detar në Detin e Kuq

Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian janë pajtuar për të angazhuar një mision detar për t’i mbrojtur anijet prej militantëve të Huthëve në Detin e Kuq, kanë thënë të hënën disa diplomatë për agjencinë e lajmeve dpa.

I quajtur Aspided (Mburoja) sipas një fjale të vjetër greke, misioni nënkupton se evropianët do të dërgojnë anije luftarake dhe sisteme të paralajmërimit të hershëm në Detin e Kuq, Gjirin e Adenit dhe ujërat përreth.

Pjesëtarët e misionit kanë urdhër që të gjuajnë me armë kundër militantëve, vetëm nëse ata sulmojnë të parët.

Komanda operacionale do të jetë në qytetin grek Larisa.

Lexo më shumë  Ukraina sulmon depot e naftës në Rusi

Militantët e Huthëve prej Jemenit, janë duke sulmuar anijet në rajon, si shenjë hakmarrjeje për veprimet ushtarake izraelite në Rripin e Gazës.

Një zyrtar i BE-së ka thënë të premten se shteti më i dëmtuar prej këtyre veprimeve nuk është Izraeli por Egjipti, pasi zvogëlimi i trafikut ka shkaktuar 40 për qind humbje të të hyrave për Autoritetin e Kanalit të Suezit.

Edhe ekonomia e BE-së është thënë të jetë dëmtuar këtë periudhë.

Komisionari i BE-së për Ekonomi, Paolo Gentilioni, u ka thënë gazetarëve ditë më parë se “meqë anijet janë detyruar të ndryshojnë rrugën në dërgesat mes Azisë dhe BE-së, edhe çmimet e këtyre dërgesave janë rritur për gati 400 për qind”.

Lexo më shumë  Baerbock ia kthen shpinën Scholzit: Ai po sakrifikon paqen për disa vota

Rebelët Huthi kanë thënë se sulmet ndaj anijeve në Detin e Kuq janë si shenjë solidarizimi me Gazën, ku militantët e Hamasit – të përkrahur nga Irani – janë në luftë me Izraelin për më shumë se tre muaj.

Hamasi, grup palestinez që udhëheq Gazën, është i shpallur organizatë terroriste prej Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian.

Rreth 12 për qind e tregtisë globale kalon përmes Ngushticës Bab al-Mandeb, hyrjes në Detin e Kuq përmes jugperëndimit të Jemenit dhe Xhibutit, mirëpo sulmet e rebelëve kanë shkaktuar çrregullim të madh të trafikut, duke detyruar shumë anije të marrin rrugë alternative rreth Afrikës.

Rruga Press

YouTube player