Ministrat e BE takohen për rritjen e çmimit të energjisë, zgjidhja ende e largët
Rritja e çmimeve të energjisë po kthehet në një problem për qytetarët rreth Europës. Por si mund të ndalen lëkundjet e mëdha të çmimeve? Kjo është pyetje qe po përpiqen t’i japin zgjidhje, ministrat e Energjisë së BE në takimin e tyre në Luksemburg.
Komisioni Europian prezantoi më herët një paketë instrumentesh që mund të vihen në përdorim për të përballuar rritjen, si për shembull ulja e taksave apo subvencionet për sipërmarrjet e vogla. Por një grup brenda BE kërkon më shumë. Franca, Spanja dhe Greqia duan që të merren masa më të thella në nivel europian, që të shmangen në të ardhmen çmimet e larta.
Një mënyrë, sipas tyre, do të ishte reformimi i tregut energjetik, duke mundësuar blerjen e përbashkët të gazit dhe magazinimin e tij. Por përballë tyre, qëndron një grup tjetër brenda BE, që kërkon zgjidhje në tregjet ekonomike. Gjermania dhe tetë vende të tjera u shprehën kundër reformave në tregjet e energjisë.
Në një dokument të përbashkët me Austrinë dhe Holandën thuhet: “Nuk mund të mbështesim masa, që janë në kontradiktë me tregjet e brendshme të gazit dhe energjisë elektrike, si për shembull një reformë të shpejtë të tregut të shumicës për energjinë”.
Polonia dhe Hungaria nga ana e tyre bëjnë përgjegjëse masat e paketës së klimës të BE lidhur me emetimet e dioksidit të karbonit për këtë rritje të ndjeshme çmimesh. Në sistemin e emetimeve të BE, ofruesit e energjisë për shembull, duhet të paguajnë për emetimin e gazrave serë, CO2.
Disa vende, mes tyre Gjermania, theksojnë, se masat e mbrojtjes së klimës janë zgjidhja për çmimet e larta të energjisë dhe jo origjina e problemit. Pozicionet e vendeve të BE në lidhje me çmimet e larta të energjisë janë kaq larg njëri-tjetrit, saqë arritje e një ujdie është një mundësi joreale. Me gjasë ajo do të shtyhet për në samitin e krerëve të shteteve dhe qeverive të BE.
Rruga Press