Ministrat e BE-së takohen me qëllim përfshirjen e Zelenskyt në bisedimet Trump-Putin
Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian takohen më 11 gusht për të diskutuar lidhur me bisedimet që do të zhvillojnë më vonë gjatë javës presidenti amerikan, Donald Trump, me homologun e tij rus, Vladimir Putin, për përfundimin e luftës në Ukrainë, teksa Brukseli po kërkon që të ketë një rol për Kievin në këtë samit.
Diplomatët e lartë të BE-së do të mbajnë një video-konferencë gjatë ditës, ku do të marrë pjesë edhe ministri i Jashtëm ukrainas, Andriy Sybiha. Ata do të diskutojnë për takimin që do të mbahet më 15 gusht në Alaskë , mes paralajmërimeve nga zyrtarët amerikanë se një marrëveshje e paqes mund të përfshijë dorëzimin e territorit nga Ukraina.
“Rruga drejt paqes në Ukrainë nuk mund të vendoset pa Ukrainën”, thanë në një deklaratë të përbashkët udhëheqësit e Francës, Gjermanisë, Italisë, Polonisë, Britanisë dhe Finlandës, së bashku me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, duke i bërë thirrje Trumpit të ushtrojë më shumë presion mbi Rusinë.
Uashingtoni duket se po përgatit Kievin dhe Moskën për kompromise të mëdha për t’i dhënë fund luftës, me nënpresidentin amerikan, JD Vance, që paralajmëroi më 10 gusht se çdo marrëveshje paqeje ka gjasa t’i lërë të dyja palët “të pakënaqura”.
“Nuk do t’i bëjë askënd shumë të lumtur. Si rusët, ashtu edhe ukrainasit, me gjasë, në fund të ditës do të jenë të pakënaqur me të”, tha Vance në një intervistë për Fox News të transmetuar më 10 gusht.

