Minierat ndosin mjedisin dhe shpyllëzojnë pyjet në Kukës
Banorë të zonave ku subjektet minerare ushtrojnë aktivitetin e tyre nxjerrës, akuzojnë institucionet ligjzbatuese për mosveprim në zbatimin e ligjit për mbrojtjen e mjedisit.
Bledar Çika çdo ditë udhëton nëpërmjet rrugës së vjetër që dikur lidhte Kukësin me Tiranën, për të dalë në autostradë dhe më pas në vendin e tij të punës tek trahu i pagesës së Rrugës së Kombit në Kalimash.
Dëmtimit të rrugës së vjetër nga mungesa e mirëmbajtjes, i shtohet edhe hedhja e sterileve të kromit në anë të saj që çdo ditë e më shumë është duke e ngushtuar trasenë, por edhe duke e vështirësuar kalimin e automjeteve dhe këmbësoreve .
“Prej vitesh në këtë zonë drejtuesit e kamionëve gjejnë rrugën më të shkurtër për të shkarkuar inertet dhe sterilet e kromit – jo vetëm në anë të rrugës por edhe në liqenin e Fierzës,” tha ekonimisti 25 vjeçar.
Sterilet e kromit janë hedhur kryesisht në afërsi të urës së Leshnicës – në të dy skajet e saj, në kilometrin e katërt të rrugës së vjetër që lidh Kukësin me Tiranën.
Megjithëse është vetëm pak kilometra larg qytetit të Kukësit, qendër administrative ku janë të vendosura institucionet ligjzbatuese në mbrojtje të mjedisit, subjekteve abuzuesve nuk iu ka hyrë ferrë në këmbë.
“Dëmtimi i mjedisit më së shumti realizohet nga sektori minerar dhe prerja e pyjeve,” tha për BIRN Tasim Nerguti, drejtor rajonal i Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit në Qarkun e Kukësit.
Megjithë konstatimin Nerguti pranon se institucioni që ai drejton nuk ka bërë ndonjë denoncim në prokurori për “krime mjedisore.”
Edhe në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Kukës ka pak çështje që kanë të bëjnë me krimet mjedisore.
“Në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Kukës ndodhet në shqyrtim një çështje penale ende e pa gjykuar për shkatërrim të pronës me zjarr, me një person të akuzuar, tre çështje për prerje të paligshme në pyje, ende e pagjykuar dhe një çeshjte për prerje të drurëve dekorativë e frutorë – e dënuar me gjobë”, tha Gazmir Onuzi, koordinator për të Drejtën e Informimit në Gjykatën e Kukësit.
Banorët e fshtrarave ku ushtrojnë aktivitetin kompanitë minerare shprehen se institucionet kanë bërë një vesh shurdh dhe sy qorr ndaj ankesave të vazhdueshme për ndotjen e mjedisit nga shfrytëzimi pa kriter i resurseve natyrore.
Ndërkohë, që këshilltarët e bashkisë Kukës nuk kanë ngurruar ti japin dritën jeshile kërkesave për shpyllëzim edhe pse ka të dhëna se pyjet jo gjithmone rehabilitohen pas shfrytëzimit nga kompanitë njerrëse.
Sterile kromi në rrugë
Pavarësisht se denoncimet për autorët e krimeve mjedisore janë të pakta, situata në terren është shqetësuese.
Kompanitë e përpunimit të kromit i hedhin sterilet e mineralit në anë të rrugës së vjetër Kukës-Tiranë, pranë urës së Leshnicës në Kolsh. Ndërsa në afërsi të qytetit të Kukësit, në Kepin e Kerjanit në liqenin e Fierzës janë hedhur sasi të mëdha dherash e inertesh.
“Krimet mjedisore trajtohen si të gjithë krimet tjera, policia ndërhyn atëherë kur ka denoncim,” shpjegoi Bledi Xhoxha, oficer i Policisë Gjyqësore në Drejtorinë e Policisë së Qarkut të Kukësit.
“Përsa i përket hedhjes së sterileve në anë të rrugës së vjetër Kukës-Tiranë te Ura e Leshnicës ne nuk kemi ndonjë denoncim,” shtoi ai.
Ndërkohë edhe Agjencia Rajonale e Mjedisit nuk ka referuar në Prokurori për ndotje të mjedisit nga kompanitë minerare. Kjo agjenci ka vendosur disa masa administrative, kryesisht për mungesë të lejeve mjedisore.
Sipas dokumenteve të Agjencisë Rajonale të Mjedisit, në këtë rajon një në tre subjekte minerare janë në shkelje të lejes mjedisore.
“Në Qarkun Kukës janë realizuar 19 inspektime në fushën e aktivitetit minerar, ku nga këto 12 subjekte rezultojnë të kenë zbatuar kushtet e lejes mjedisore, tre subjekte e kanë pezulluar aktivitetin për një periudhë të pacaktuar dhe katër subjekte janë penalizuar me masë administrative,” tha në një përgjigje me shkrim Bardhok Frroku, drejtor i Agjencisë Rajonale të Mjedisit për Shkodrën, Lezhën dhe Kukësin.
Sipas Frrokut katër subjekte janë ndëshkuar me masë administrative gjobë që luhatet nga 20 mijë lekë deri në 500 mijë lekë. Ai shtoi se nuk janë bërë referime në prokurori. Dy prej subjekteve të gjobitura ushtrojnë aktivitet në bashkinë e Hasit, ndërsa dy të tjerat në Kukës. Tre prej subjekteve janë gjobitur për mungesë të lejes mjedisore, ndërsa i katërti për pengim të kryerjes së veprimeve të inspektimit.
Specialistët janë të ndarë mbi ndikimin që ka hedhja e sterileve të kromit në faunën dhe biodiversitetin e liqenit të Fierzës.
Specialisti i gjeologji-minierave, Mursel Sallahu i tha BIRN se sterilet e kromit shkaktojnë ‘radioaktivitet, në rastet kur kromi është mbi 5 valent,’ dhe si rrjedhojë janë të dëmshme për biodiversitetine e liqenit.
Por për Shemsi Shahun, drejtor i Drejtorisë Rajonale të Mjedisit në qarkun e Kukësit, sterilet e mineraleve janë ndotëse të mjedisit por nuk kanë ndikim në biodiversitet.
“Sterilet e kromit ndotin ambjentin, ulin volumin e liqenit të Fierzës, por nuk kanë ndikim në pasuritë peshkore të liqenit të Fierzës,” tha Shahu.
Helme në sipërfaqe
Banorët e fshatit Mamëz në Njësinë Administrative Kolsh të Bashkisë Kukës, ankohen prej vitesh se kompanitë minerare që kanë marrë leje koncesionare për shfrytëzimin në sipërfaqe të nikel-silikateve nuk e respektojnë mjedisin.
Ata i thanë BIRN se nga punimet e firmave minerare, në fshat janë demtuar veprat ujitëse, rrugët, janë dëmtuar shtëpitë nga shpërthimet dhe të mbjellat nga pluhuri i krijuar prej aktivitetit minerar; ndërkohë që si pasojë e daljes së helmeve në sipërfaqe u kanë ngordhur bagëtia, apo janë sterilizuar dhe nuk riprodhojnë .
“Ka tre-katër vjet që ka rënë niveli riprodhues i lopëve për shkak të daljes në sipërfaqe të nikel-silikateve që janë në afërsi të kullotave të bagëtive,” tha Kujtim Bajrami, veteriner në fshatin Mamëz, i cili merret prej vitesh me insiminimin artificial të lopëve.
“Kështu që banorët e dy prej lagjeve të fshatit Mamëz janë detyruar të mbyllin brenda bagëtinë, apo ti dergojnë sa më larg minierës së Qafë-Mushit për kullotë,” shtoi ai.
Banorët e Mamëzit prej më shumë se një dekade kerkojnë transparencë për lejet minerare si dhe anulimin e tyre, por thirrjet e tyre nuk janë dëgjuar, ndërsa deklarojnë se kanë rënë pre e dhunës dhe terrorit psikologjik nga ana e policisë.
Aktualisht në fshatin Mamëz ka aktivitet minerar kompanoa ‘Victoria Invest’ që po vazhdon të shfrytëzojë mineralin e hekur-nikelit në një sipërfaqe prej 2.8 kilometër katrorë, rrëze malit të Sukës. Banorët e këtij fshati pretendojnë se kjo firmë punon me leje mjedisore të falsifikuar, ku sipas tyre janë marrë firmat banorëve në mënyrë klandestine, pa ndonjë degjesë publike ose me dëgjesa të zhvilluara në fshatra të tjerë.
Në muajin gusht të vitit 2020, firma ‘Victoria Invest’ është paraqitur në fshatin Mamëz për degjesë publike, por është përzënë nga banorët.
“Janë dhenë leje mjedisore pa dëgjesë publike në fshatin Mamëz,” shprehet kryeplaku Sali Leka.
“Kanë arritë deri atje sa të marrin firmat në fshatin Qinamak, apo në fshatin Kolsh për të punuar në fshatin Mamëz,” shtoi ai.
Pavarësisht kundërshtive të banorëve kompania minerare e ka vaazhduar aktivitetin në këtë zonë.
“Si pasojë e aktivitetit të firmës banorët nuk mund të shfrytëzojnë malin për të kullotur bagëtinë,” tha Leka.
Sipas tij nxjerrja e hekur-nikelit në sipërfaqe është bërë rrezik serioz për shëndetin e banorëve të fshatit.
“Kemi kërkuar që firma të marrë masa për kullimin e sipërfaqes së shfrytëzuar, por nuk e ka realizuar,” tha Leka, ndërsa shtoi se mbetjet sterile po kërcenojnë shëndetin e njerëzve.
“Firma, megjithë shfrytëzimin barbar nuk ka bërë asnjë investim në fshat, ku e detyron edhe mareveshja me AKBN,” shtoi kryeplaku i fshatit Mamëz.
Kryepleqësia e këtij fshati si dhe 82 kryefamiljarë të tij i janë drejtuar me shkrim institucioneve për ndotjen e mjedisit të shkaktuar nga subjektet minerare.
“Firmat minerare që ushtrojnë aktivitetin në territorin e Njesisë Administrative të Kolshit – ku perfshihet edhe fshati Mamëz, nuk kanë organizuar degjesat publike sipas ligjit,” tha Bledar Lleshi, anëtar i Këshillit Bashkiak Kukës.
“Firmat që ushtrojnë aktivitet në territorin e Njësisë Administrative, në bazë të ligjit dhe kontratës me AKBN e kanë për detyrë edhe të investojnë në objekte sociale në territorin ku ushtrojnë aktivitetin, por ato nuk kanë bërë asnjë investim që do të shkonte në dobi të komunitetit,” shtoi ai.
Zjarret dhe minierat shkatërrues të pyjeve në Kukes
Në fund të tetorit të vitit 2021 në Samitin e ‘Glasgow’ për klimën, udhëheqësit botërorë premtuan t’i japin fund shpyllëzimit deri në vitin 2030. Tridhjetë nga kompanitë më të mëdha në botë u angazhuan për t’i dhënë fund investimeve në aktivitetet që lidhen me shpyllëzimin.
Por ndryshe ndodh në Shqipëri dhe në mënyrë të veçantë në Kukës. Këshilli i Bashkisë së Kukësit për një periudhë një mujore në Tetor dhe Nëntor, ka marrë katër vendime duke dhënë dakortësinë për vazhdimin e procedurave të heqjes nga fondi pyjor të një siperfaqe prej 33.60 hektarësh në ekonominë pyjore Mamëz-Kalimash, për t’ia vënë në dispozicion kompanive minerare për shfrytëzim.
Heqja e sipërfaqes nga fondi pyjor, ndodh në një kohë kur zjarret e verës së vitit 2021 përfshinë 2022 hektarë me pyje në Bashkinë e Kukësit.
“Zjarret e verës së vitit 2021 kanë përfshirë 2022 hektarë me pyje që janë kryesisht në Malin e Rrunës dhe në Lakun e Thive, në ekonominë pyjore Mamez-Kalimash”, tha Dashamir Palushi, përgjegjës i Emergjencave në Bashkinë Kukës.
Kundër vendimit të këshillit të Bashkisë ka qenë vetëm këshilltari Bledar Lleshi.
“Pas dëmtimit të pyjeve nga zjarri ne si Këshill Bashkie duhet të marrim vendime si t’i përmisojmë dhe shtojmë pyjet dhe jo t’i pakësojmë ato”, tha ai.
Ndryshe mendon drejtori i Administrimit të Pyjeve e Kullotave në Bashkinë e Kukësit, Sali Hallaçi, i cili shprehet se këshilli i Bashkisë mund ta kundërshtojë shpyllëzimin vetëm me argumenta ligjorë.
Sipas Hallaçit pronari i nëntokës është Ministria e Energjisë dhe AKBN-ja, të cilat japin leje shfrytëzimi minerar. Hallaçi shpjegoi se kur subjekti është i paisur me dokumentacionin e plotë dhe ka hartuar raportin teknik, i drejtohet bashkisë për leje si pronar i pyjeve.
Ai theksoi se heqja nga fondi pyjor për një sipërfaqe deri në 1 hektarë bëhet nga Ministria e Mjedisit, me siperfaqet nga 1 deri në 10 hektarë heqja nga fondi pyjor bëhet me VKM, ndërsa mbi 10 hektarë heqja behet me ligj nga parlamenti.
“Të mos jesh dakort duhet të kesh argiumenta ligjore si me rastin e tulipanit,” tha ai, duke ju referuar zonave ku rritet ‘Tulipa Albanica’, një specie endemike tulipani.
Megjithëse firmat e shfrytëzimit të mineraleve e kanë për detyrë që pas përfundimit të shfrytëzimit të kthejnë pyjet dhe siperfaqet kullosore të demtuara në gjendjen e mëparshme, shumë subjekte nuk e kanë bërë një gjë të tillë në territorin e bashkisë Kukës.
“Kanë mbjellë akacie”, pretendoi Hallaçi, pa mundur të tregojë se ku janë mbjellur pemët.
Rruga Press