KryesoreOpinion/Aktualitet

Milionat e shpenzuara për mbështetje mediale si tregues që BDI-ja e ka humbur mbështetjen e votuesve

Shkruan Bekim Qoku

Kush i ka ndjekur dhe i mban mend zgjedhjet e të paktën 20 viteve të fundit e di që interesimi i mediave të Kosovës ka qenë minimal, kurse mediat e Shqipërisë, thuajse zero. Ka pasur pra indiferencë totale. Më shumë mbulim mediatik te mediat e Kosovës dhe të Shqipërisë ke pasur për zgjedhjet, ta zëmë, në Karolinën e Veriut në SHBA sesa në Maqedoninë e Veriut.

Edhe mos qofsh komplotist, të bën shumë kureshtar fakti se pse pikërisht këto zgjedhje të 8 majit në Maqedoninë e Veriut kanë zgjuar gjithë këtë interesim të pazakontë mediatik në Kosovë por edhe në Shqipërinë tejet indiferente për shqiptarët jashtë kufirit? Sapo i hapëm sytë në vitin e ri 2024, mediat kryesore të Shqipërisë indiferente na e zgjodhën Ali Ahmetin, të paraqitur si liderin suprem dhe të vetëm të shqiptarëve të MV, si personazh të vitit. Publiku shqiptar i Maqedonisë pyet veten, si ka mundësi të vlerësohet kështu një politikan që vetëm në vitin që sapo lamë iu publikuan dhjetëra afera korruptive, nepotizëm, abuzim me pushtetin, bashkëpunim me Serbinë dhe Vuçiqin etj.? Ça i gjeti mediat e Shqipërisë indiferente që papritur e pa kujtuar po i japin kaq shumë zor të akordojnë çmime për figurat politike kontradiktore dhe të korruptuara të MV?

Por gabuan rëndë edhe ata njerëz që kujtuan se përzgjedhja e liderit suprem Ali Ahmeti si “njeri i vitit” është thjesht një porosi e paguar apo ndonjë dhuratë e Edi Ramës për vitin e ri. Sytë e veshët po na shohin e dëgjojnë, si kurrë më parë, një vërshim të opinionistëve shqiptarë, që janë pranë BDI-së, nëpër ekranet e televizioneve shqiptare, që na tregojnë se sa mirë ka qeverisur BDI këto 22 vitet e shkuar dhe se e njëjta meriton të qeverisë edhe 20 vite të tjerë. Politikanë të pushtetit nga radhët e BDI-së dhe të pakënaqurve të ASH-së, edhe pse deri sot nuk kanë qenë të ftuar as në televizionet lokale, tani ftohen pa pushim, në mënyrë serike për të na thënë sesa pro-evropianë e proamerikanë janë vetë dhe sa e pavlerë është opozita. Natyrisht pa thënë as edhe një fjalë për hallet e përditshme të qytetarëve, që po braktisin vendin masovikisht.

Lexo më shumë  “Kursi më i vështirë i ushtrisë, stërviten deri në rraskapitje”, oficeri i FSK-së përfundon me sukses trajnimin Ranger në ShBA

Kulmi i interesimit të mediave të Kosovës dhe Shqipërisë indiferente ngjau në ditën kur Talat Xhaferi emërohet si kryeministër i qeverisë teknike. Katër gazetarët më të pasur (financiarisht) shqiptarë e përcollën atë gjatë gjithë ditës këmba-këmbës si ato shoqërueset e nuses. Në një rast tjetër, dy-tre ditë më vonë, në një tubim të BDI-së në formë kanagjegje, ku prezantohej KM teknik, u duk edhe drejtori i Informacionit i medias të famshme Top Channel, Robert Rakipllari.

Para disa muajsh, Ali Ahmeti, bashkë me ministrat e tij, zhvilloi një vizitë në Kosovë. E pazakonta e kësaj vizite ishte se ata bashkë nuk takuan asnjë nga ministrat e qeverisë së Kosovës, asnjë politikan vendor, por vetëm Devollët dhe bizneset e tyre. Tani në fushatë, është bërë e ditur se Devollët kanë blerë një nga televizionet e mëdha nacionale në MV të cilin ia kanë dhënë leasing (me qira) për gjashtë muaj BDI-së. Nga burimet e brendshme thuhet se shumica e titujve në redaksinë e lajmeve vijnë nga “kuzhina” mediatike e Artan Grubit.

Sidoqoftë, mediat në Kosovë dhe Shqipëri vazhdojnë si kurrë më parë të ftojnë nëpër emisionet e tyre debative duke sajdisur politikanët e pushtetit BDI/të pakënaqurit e ASH si s’ka më mirë dhe duke qenë kritikë dhe cinikë me ata të opozitës.

Lexo më shumë  Dita kombëtare e të zhdukurve, Osmani: Pas anëtarësimit në KiE, familjarët e të pagjeturve do të mund të padisin Serbinë

Nuk ka si të mos dyshosh që Ali Ahmeti po i blen gazetarët e famshëm të Tiranës e të Prishtinës me paratë që ka vjedhur nga të gjithë ne shqiptaret e Maqedonisë se Veriut. Nga bizneset e llotarisë, Soravisë apo Eurovisë. Vërtet se gazetaret e famshëm kushtojnë shumë, por edhe Ali Ahmeti ka qëndruar gjatë në pushtet. Moszhvillimi ynë ka qenë pasurimi i tij. Gazetarët e ndershëm nuk do të shkonin në mbështetje të atij që e lë popullin e vet në prapambetje. Por i famshëm dhe i ndershëm janë gjera te ndryshme.

Tani, si thoni, a nuk ju duket shumë e dyshimtë i gjithë ky bombardim mediatik që po vjen si kurrë më parë nga Kosova dhe Shqipëria në shërbim dhe favorizim të Ali Ahmetit dhe BDI-së plus satelitëve të saj?

Si thoni, a nuk ju duket se me këtë dritë të fortë artificiale që krijohet nga reflektorët mediatik qarqe të ndryshme mundohen të na verbojnë sytë për të mos parë dobësitë e Aliut dhe BDI-së para zgjedhjeve të 8 majit? Nuk ju duket se gjithë këto miliona që po shpenzohen për të blerë mbështetjen mediale, tregojnë se edhe Aliu vetë e ka kuptuar që mbështetjen e votuesve nuk e ka më, por do ta ketë koalicioni i madh shqiptar për ndryshim?

Por një gjë është e sigurt. Sa më e madhe frika e Aliut prej humbjes, aq më bujare pagesat për gazetarët dhe mediat që blihen. Ndryshimi megjithatë është i pashmangshëm, sepse ndryshimi VLEN!

YouTube player