Lajme

Miliardat publike/ Spitali Amerikan “kontrollon” Hemodializën. “Konkurrenca” godet me pambuk

Koncensioni i shërbimit të Hemodializës, i cili, si një shërbim publik, duhej të ofrohej në spitalet shtetërore, në fakt i ka dhënë një pozitë dominuese në treg Spitalit privat “American Hospital”.

Autoriteti i Konkurencës ka konstatuar një situatë oligopol në shërbimin periodik për pacientët e sëmurë me veshka, të cilët janë të detyruar të ndjekin seancat terapeutike pranë Spitalit Amerikan dhe Spitalit Internacional.

“Tregu i shërbimit të dializës ka një përqendrim të lartë, duke i dhënë karakteristikat e një tregu oligopolistik. Nga struktura e tregut, konstatohet se shërbimi i dializës po zhvendoset drejt spitaleve jopublike dhe shoqërisë koncesionare, ndërkohë që ne spitalet publike ofrohet vetëm pranë QSUT-së e cila mbulon XX% të kërkesës për shërbim”, thuhet në një vendim të marrë nga Autoriteti i Konkurencës në 23 Shtator 2021.

Në vitin 2015, Ministria e Shëndetësisë shpalli kompaninë “Evita” si fituese të kontratës koncensionare “Zbatimi i kontratës së Koncesionit/Partneritetit Publik Privat “Për shërbimin e Hemodializës pranë spitaleve rajonale…” me vlerë 8.622.931.792 lekë.

Në foto: “Evita” shpk u shpall fituese e koncensionit të Hemodializës në vitin 2015

Sipas kontratës, shërbimi i dializës ofrohet nga spitalet publike dhe jopublike, nëpërmjet paketave të rimbursuar nga Fondi i Sigurimit të Kujdesit Shëndetësor (FSKDSH) dhe nga shoqëria Dia Vita shpk, si mbajtëse e kontratës së koncesionit, e cila duhet të mbulojë me shërbimin dializës të sëmurët në disa rrethe.

Lexo më shumë  Sharjet e nxitja e dhunës pritet t’u kushtojnë deputetëve deri në 344 euro

Kompania koncensionare “Dia Vita” u krijua pas nënshkrimit të kontratës koncensionare dhe në të merrte pjesë edhe shoqëria “Spitali Amerikan”.

Përfshirja e këtij spitali privat orientoi dhënien e shërbimit të Dializës pranë Spitalit Amerikan, e cila siguroi infrastrukturën e nevojshme.

Sipas kontratës, shërbimi i Hemodializës duhet të ofrohet në spitalet publike në Shkodër, Lezhë, Korçë, Vlorë dhe Elbasan.

Por, siç konstaton Autoriteti i Konkurencës, “ofruesi me i madh i këtyre shërbimeve është spitali privat Amerikan dhe Internacional, të cilët mbulojmë shumicën e nevojave për shërbimin e dializës…”.

Në foto: Pjesë nga vendimi nr. 835, dt. 23.09.2021 i Autoritetit të Konkurencës

Aktualisht, Spitali Amerikan nuk është më pjesë formale e kompanisë koncensionare “Dia Vita”. Megjithatë, kjo strukturë private vijon të ruajë dominancën në ofrimin e këtij shërbimi, duke krijuar një barrierë për liberalizimin e tregut.

“Për dhënien e shërbimit të dializës, ka pengesa në hyrje për shkak të nevojave për investime fillestare, sigurim të stafit mjekësor dhe ndihmësmjek dhe ambienteve akomonuese për dhënien e shërbimit. Pjesa e madhe e tregut që zotërojnë spitali Internacional dhe Amerikan shërben si tregues për ekzistencën e barrierave për hyrje dhe zgjerim në këtë treg”, thekson Autoriteti i Konkurencës.

Lexo më shumë  Osmani e Konjufca bëjnë homazhe për ish-deputetin Ali Lajçi

Për këtë institucion, “Mungesa e hyrësve të rinj në këtë shërbim, tregon që konkurrenca potenciale është e ulët, e ndikuar kjo nga investimet e rëndësishme të kryera për këtë shërbim, me të cilat hyrësit e rinj dhe konkurrentët duhet të përshtaten.

Po ashtu-konstaton Autoriteti i Konkurencës,- “pacientët kanë marrëdhënie afatgjatë më ofruesin e shërbimeve, me efekte përjashtuese më konkurrentët e tjerë”.

Në përfundim të analizës, Autoriteti i Konkurencës konstaton se “Spitali Amerikan dhe Spitali Internacional zotërojnë pozitë dominuese në tregun e shërbimit të dializës”.


Në foto: Vendimi i Autoritetit të Konkurencës

Megjithatë, Autoriteti i Konkurencës e mbyll vendimin e tij vetëm me një rekomandim ndaj Fondit të Sigurimeve të Detyrueshme të Kujdesit Shëndetësor “që të sigurojë shpërndarje në mënyrë të drejtë të paketave të shërbimeve, të parashikuara në VKM nr. 308, datë 21.05.2014 (përfshirë shërbimin e Dializës, shën.red.), duke i vendosur të gjithë ofruesit (spitalet jopublik) në treg në kushte të favorshme konkurruese”./bold/

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *