Opinion/Aktualitet

Mikroskopikë te marketi i lagjes dhe të verbuar para buxhetit të shtetit

Nga Elona Caslli

Kam ndjekur reagimet e ndryshme në rrjet lidhur me çështjen e inceneratorëve. Është tragjikomik qëndrimi i një pjese të mirë të shqiptarëve.

Të zbresim në një emërues të përbashkët. Të zbresim te jeta e përditshme. Të zbresim te ai marketi i lagjes ku shkojmë disa herë në ditë. Pasi blejmë gjërat që kemi për të blerë në market e shikojmë me sy mikroskopik faturën e nëse shitësi i marketit ka abuzuar qoftë edhe një qindarkë më tepër me përllogaritjen, revoltohemi keq dhe e detyrojmë të ribëjë llogarinë dhe të kthejë mbrapsht qindarkën e tepërt që u përpoq pa të drejtë ta përvetësonte.

Një qëndrim krejt tjetër vihet re para buxhetit të shtetit. Ndonëse bëhet fjalë për paratë tona, qëndrimi është krejt i ndryshëm. Miliona euro kanë sponsorizuar tragjikomedinë rilindëse ku një çoban, një çift të moshuarish, një grua që mblidhte kanoçe dhe një grua 90 vjeçe, janë gdhirë nga një ditë në tjetrën miliarderë dhe amnistia që i bëjnë një pjesë e shqiptarëve kësaj tragjikomedie të lë pa fjalë.

Lexo më shumë  Dialog?! Për çfarë? Për ta rikthyer Serbinë në Kosovë?

Ta vret jo më pak vëmendjen kundrejt kësaj tragjikomedie edhe një qëndrim i dytë i cili përmblidhet në një fjali të vetme- Të ikë Saliu!

Saliu mund të ikë ose mund të rrijë, por as ikja dhe as qëndrimi i tij, nuk zhbëjnë tragjikomedinë rilindëse që prek në mënyrë të drejtpërdrejt xhepin e çdo shqiptari.

Në një vend të Evropës ky skandal do kish rrëzuar qeverinë. Në Shqipëri provokon amnistinë publike, fjalinë “ Të ikë Saliu” dhe heshtjen absolute të faktorit ndërkombëtar i cili paradoksalisht deklaron se është fort i shqetësuar për korrupsionin në këtë vend.

Arben Ahmetaj sot është shkarkuar. Vihet re një lloj entuziazmi te një kategori e caktuar njerëzish, pasi hamendësohet një hetim hipotetik i tij.

Unë po shkoj më larg me fantazinë dhe po hedh hipotezën e burgosjes së Ahmetajt. E kam para syve llavën entuziaste të komenteve poshtë portaleve atë ditë. Do të jetë një valvul shkarkimi për një pjesë të shoqërisë e cila me krenari do të shkruajë: Reforma në Drejtësi po funksionon”

Lexo më shumë  Dialog?! Për çfarë? Për ta rikthyer Serbinë në Kosovë?

Kryeministri do të dalë me sloganin “Drejtësia të bëjë drejtësi” dhe do ta trajtojë çështjen si përgjegjësi personale të Ahmetajt, pasi ai nuk ka qenë kurrë në dijeni të asgjëje, ndonëse kushdo e di mirë që një tragjikomedi e tillë nuk mund të ndodhë pa miratimin e kryeministrit.

Ahmetaj mund të marrë dënimin e tij sikundër e mori Tahiri, por pasuritë e tij nuk preken, pasi ekziston ligji i pashkruar që thotë: “Kush bën burgun, nuk i preken lekët”.

Post Scriptum- Popullit i duhet vaksina kundër rebelimit dhe kësaj here vaksinatori është Ahmetaj. Pasi të jetë bërë vaksina, faktori ndërkombëtar do të dalë me një deklaratë duke përshëndetur hapat që janë bërë në luftën kundër korrupsionit dhe populli i ngazëllyer do të vazhdojë ende të hetojë faturën e marketit të lagjes, teksa milionat e buxhetit të shtetit do të shërbejnë për të krijuar të nesërmen e artë të ministrave të burgosur, nën hijen e një palme duke shijuar një lëng portokalli në një ishull përrallor ku nuk bën kurrë ftohtë.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *