Mijëra protestues izraelitë kundër qeverisë së Netanyahut
Mijëra izraelitë kanë protestuar në Kudsin Perëndimor kundër ndryshimeve të propozuara në Komitetin e Përzgjedhjes Gjyqësore, shkarkimit të shefit të agjencisë Shin Bet, Ronen Bar dhe synimit të qeverisë për të shkarkuar Prokuroren e Përgjithshme, Gali Baharav-Miara.
Gazeta ‘Yedioth Ahronoth’ raportoi se mijëra njerëz marshuan përgjatë rrugës Kaplan midis Gjykatës së Lartë dhe parlamentit izraelit (Knesset) para se të arrinin në sheshin para ndërtesës së qeverisë.
“Protesta e sotme vjen pas shkarkimit të shefit të Shin Bet, Ronen Bar, pezullimit të negociatave për marrëveshjen e pengjeve, miratimit të buxhetit dje dhe planit të qeverisë për ta larguar Prokuroren e Përgjithshme, Gali Barahav-Miara”, tha gazeta izraelite.
Sipas gazetës, anëtarë të partive opozitare gjithashtu morën pjesë në protestë, duke e përfshirë liderin e Unitetit Kombëtar dhe ish-ministrin e Mbrojtjes, Benny Gantz, së bashku me figura të shquara në sektorin ekonomik dhe gjyqësor.
Transmetuesi ‘Channel 12’ raportoi se demonstrata shpërtheu derisa Knesset do të votojë një projektligj për ta ndryshuar përbërjen e Komitetit të Përzgjedhjes Gjyqësore, një veprim që do të eliminojë përfaqësimin e Odës së Avokatëve dhe do t’u japë më shumë pushtet të emëruarve nga qeveria.
Sipas transmetuesit izraelit, legjislacioni i propozuar përbën një “shtyllë qendrore” të planit të rinovimit të gjyqësorit, i cili synon ta dobësojë gjyqësorin.
Që nga tetori i vitit 2023, të paktën 50.200 palestinezë janë vrarë, kryesisht gra dhe fëmijë, si dhe rreth 113.700 të tjerë janë plagosur në sulmet brutale ushtarake izraelite në Rripin e Gazës.
Nëntorin e vitit të kaluar, Gjykata Penale Ndërkombëtare lëshoi urdhërarreste ndaj kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrit të Mbrojtjes, Yoav Gallant, duke i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Për luftën në enklavën palestineze, Izraeli gjithashtu përballet me një padi gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.
Rruga Press