Speciale

Migjen, na fal, nuk të kujtojmë dot përveç se në facebook!

Shkruan Blerinda Idrizi

Migjeni (11 tetor 1911 – 26 gusht 1938)

Na fal, nuk të kujtojmë dot përveç se në facebook!

Po jemi në pushime, pushojmë se kemi vjedhur, kemi shkatërruar, kemi linçuar, kemi dhunuar e përdhunuar, fizikisht e shpirtërisht, objekte e subjekte, na duhet pak pushim për të mbledhur energji të lëshohemi përsëri në barbarinë e radhës. Jemi po ashtu si na ke lënë, pa Njeriun e Ri, me Lulër që nuk kanë vetëm tolluma që e hajnë mesuesin, por edhe vdesin “landfilleve” për kamjën e politikanëve dhe zorzopëve, per gjerdanët e metresave, per pronat pa fund dhe babëzine ad infinitum!

Sundohemi nga Mamonët, nuk ka Njeri të Ri, kemi turma Mamonësh! Nuk habitet më Zeneli pse Shqipëria është kaq e vogël, dhe se duhet me u vra mes vetit për me jetue, nuk kanë kohë te mendojnë më Zenelet se po ju presin kokën dhe të tërë bëjmë sehir.

Na fal se nuk mundem te krijojmë një gen të ri që gjakun të na e vlojë, kemi krijuar vetëm një turmë sociopathe qe ka më rëndësi të nderrojë karrige, të na përplasë në ferr e të na heqë zvarrë çdo ditë!

Na fal se Lukët janë ende mes nesh, se po të kemi mundësi të gjitha grate do i kthejmë në Lukë dhe bashke me “qymyrin” të shesin dhe veten, “qymyrin” dhe mund t’ua blejmë, po seksin ua kerkojmë gratis!

Na fal se Kolët ende shëtiten rrugëve të botës, dhe ende kërkojnë nje vrimë ne dyshemenë e shtëpise t’ia ngulin sytë e mos shohin më realitetin që i ka lënë pa bukë, pa dinjitet, pa zë, pa nder, pa emër!

Na fal se ne bijtë e atij shekulli e këtij shekulli jo që s’e kemi në mend ta lëmë plakun në shjetninë e tij, po dhe kufomën e plakut dhe shejtninë e tij e kemi vënë hyll në ballë e i falemi, e i venerohemi çdo ditë.

Na fal se për injorancën tonë, delirin për të zbuluar dhe për të zhbërë të vërtetën të kemi nxjerrë me origjinë serbe!

Nuk di për çfarë të të kërkojë më të falur se lista është ad infinitum, po duhet të të them gjithesesi faleminderit që na dhe programin poetik të dhimbjes dhe shpresës, na dhe sikur asgjë tjetër dëshirën për të klithur, e ndoshta zgjohemi nga klithma e përmendemi dikur për të dalë nga zgjandra jonë tragjike kombëtare!

Të Lindet Njeriu

Të lindet një njeri
nga gjin’ i dheut tonë të rim me lot të vakët,
nga thalb’ i shpirtit tonë që shkrihet në dëshirë të flakët
për një gen të ri, –
Të lindet një njeri!
Pa hyll në ball – por që me fjalë të pushton,
që të rrëmben qetsin e ban gjaku të të vlojë
rrkajë, e ban synin ligshtin ta zhgjetojë,
që nëpër shekuj ndërgjegjen na tradhton.
Të dali një njeri!
Të mkambi një Kohë të Re!
Të krijojë një Epope!
Ndër lahuta tona të këndohet Jeta e Re…

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *