KryesoreLajme

Meta pranon se mbylli gabimisht llogari të aktivistëve shqiptarë në Instagram

Meta pranoi të premten se kishte mbyllur gabimisht disa prej llogarive në Instagram të aktivistëve dhe mbështetësve të protestës së njohur si “Revolucioni i Flamingove”, të cilat u zhdukën nga platforma pothuajse njëkohësisht gjatë 24 orëve të fundit.

Në një përgjigje për BIRN, kompania tha se po rishikonte masat e marra ndaj llogarive dhe se disa prej tyre ishin rikthyer.

“Po shqyrtojmë masat që kemi marrë ndaj këtyre llogarive, por kemi rikthyer tashmë disa prej atyre që u hoqën gabimisht,” tha një zëdhënës i Meta-s. “Na vjen keq për shqetësimin e shkaktuar,” shtoi ai.

Kompania nuk bëri të ditur numrin e llogarive të mbyllura gabimisht, arsyet që çuan në pezullimin e tyre apo nëse vendimet ishin nxitur nga raportime masive nga përdorues të tjerë.

Meta shtoi se përdoruesit mund t’i kundërshtojnë vendimet e moderimit përmes mekanizmave të apelimit.

“Ne kemi procese apelimi që njerëzit mund t’i përdorin kur mendojnë se kemi bërë një gabim, në mënyrë që të mund ta rikthejmë përmbajtjen nëse përcaktojmë se ajo nuk shkel [rregullat],” tha zëdhënësi.

Reagimi i Meta-s erdhi pas një shkrimi të BIRN mbi mbylljen e dhjetëra profileve në Instagram, emëruesi i përbashkët i të cilave ishte mbështetja ose pasqyrimi i protestave të njohura si “Revolucioni i Flamingove”.

Lexo më shumë  Eurodeputeti kritikon Von der Leyen dhe Marta Kos për vizitën në Beograd: Po krijon ndjenë të rreme se ky vend është normal

Mes profileve të mbyllura ishte llogaria e verifikuar e deputetit të opozitës Agron Shehaj, me rreth 150 mijë ndjekës, si dhe ato të një numri aktivistësh që kishin publikuar rregullisht materiale nga protestat.

Mbyllja pothuajse e njëkohshme e llogarive ngriti dyshime se ato mund të ishin shënjestruar përmes raportimeve të koordinuara, të cilat kishin shkaktuar më pas ndërhyrjen e sistemeve të moderimit të Instagramit.

Aktivistët e prekur dhe Shehaj akuzuan qeverinë se qëndronte pas një fushate të tillë, ndërsa ekspertë të teknologjisë të intervistuar nga BIRN paralajmëruan se mekanizmat e moderimit të platformave mund të manipulohen përmes raportimeve masive.

Nuk ka megjithatë prova që lidhin qeverinë shqiptare me mbylljen e llogarive dhe Meta nuk iu përgjigj pyetjes nëse vendimet e gabuara ishin shkaktuar nga një fushatë e koordinuar raportimesh.

Pezullimet sollën reagim edhe në Parlamentin Europian, ku eurodeputeti dhe sekretari i përgjithshëm i Partisë Demokratike Europiane, Sandro Gozi, kërkoi shpjegime nga Meta dhe ngriti çështjen pranë Komisionit Europian.

Gozi i kërkoi Komisionit që incidenti të shqyrtohej në kuadër të procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe respektimit të lirisë së shprehjes dhe pluralizmit politik.

Lexo më shumë  Zjarri i madh djeg disa shtëpi në Lezhë

“Kur dhjetëra llogari të opozitës dhe aktivistëve të lidhur me të njëjtën lëvizje proteste zhduken pothuajse njëkohësisht, nuk mund ta trajtojmë thjesht si një problem teknik,” deklaroi Gozi.

Ndërkohë, kryeministri Edi Rama hodhi poshtë të premten akuzat se qeveria kishte gisht në mbylljen e llogarive, ndërsa sulmoi edhe politikanët europianë që ngritën shqetësime mbi incidentin.

“Ne nuk kemi absolutisht asnjë lidhje me çaktivizimin apo kufizimin e ndonjë llogarie në rrjetet sociale dhe as nuk zotërojmë kapacitetet teknike për të kryer një operacion të tillë,” shkroi Rama në platformën X.

Kryeministri i cilësoi akuzat si “propagandë të ulët” dhe kritikoi ashpër reagimin e përfaqësuesve të Partisë Demokratike Europiane, të cilët kishin publikuar një imazh që sugjeronte lidhjen e qeverisë me mbylljen e profileve.

“Si mund ta quajnë veten demokratë këta agjitatorë, ndërkohë që publikojnë një insinuatë vizuale kaq të turpshme?” shkroi Rama, duke e cilësuar “të mjerueshme” që një akuzë e tillë vinte nga njerëz që, sipas tij, “paraqiten si demokratë europianë”./Reporter.al

Rruga Press

YouTube player