KryesoreLajme

Mësymja e SPAK në Bashkinë e Tiranës, ja dosja “5D” që denoncoi Belind Këlliçi

Agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit është raportuar se kanë mësyrë mëngjesin e kësaj të premte në Bashkinë e Tiranës, ku janë kryer kontrolle në disa sektorë dhe në Drejtorinë e Shërbimeve Mbështetëse që drejtohej dikur nga Taulant Tusha.

Veç inceneratorit të Tiranës, një ndër dosjet e nxehta që është kallëzuar në SPAK për Bashkinë e Tiranës është dhe ajo e quajtur “5D”. Ka qenë politikani Belind Këlliçi, i cili gjatë fushatës për zgjedhjet e 14 Majit denoncoi drejtorët që merrnin miliona euro tendera nga Bashkia e Tiranës.

Belind Këlliçi ka denoncuar korrupsionin galopant në Bashkinë e Tiranës, ku janë përfshirë zyrtarët më të lartë dhe njerëzit më të afërt të kryebashkiakut socialist Erion Veliaj. Konkretisht, bëhet fjalë për drejtorin e IMT-së, Mariglen Qato.

Siç shihet dhe në grafikat e mëposhtme, Mariglen Qato dhe familjarë të tij kanë marrë leje ndërtimi dhe tendera në Bashkinë e Tiranës. Bëhet fjalë për 29 procedura prokurimi me vlerë 25 milionë euro, që janë përfituar indirekt nga drejtori dhe krahu i djathtë i kryebashkiakut Erion Veliaj.

Lexo më shumë  Kurti: Kemi nisur procedurat për ankandin e parë të erës me kapacitet prej 100 MW

Që nga viti 2016 dhe në vazhdim, kompania “IGOR Elektrik” ka marrë 29 tendera me vlerë 25 milionë euro pa TVSH. 25 tendera janë dhënë nga Bashkia e Tiranës dhe Ujësjellës-Kanalizime Tiranë, dhe katër të tjera nga dy institucione si OSSHE dhe ARRSH. “Përgjatë viteve, “IGOR Elektrik” ka ndryshuar emrin në “V.A.S Konstruksion” dhe më pas në “5D Korrupsion”, u shpreh Këlliçi më 26 Prill 2023.

Ajo ka për pronar Muhamet Petritin, vjehrrin e shtetasit Alfred Qato. Ky i fundit rezulton se është vëllai i drejtorit të Inspektoriatit të Territorit, Mariglen Qato, drejtori i kryetarit të Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj.

Nga të punësuar në Bashkinë e Tiranës, këta shtetas me në krye krahun e djathtë të Veliajt, janë kthyer në ndërtues dhe biznesmenë që bëjnë pallate e hotele. Kandidati Belind Këlliçi ka nxjerrë lejet e ndërtimit të përfituara nga kompania “5D Konstruksion”, pallate banimi 7 dhe 8 kate.

Por nuk përfundon me kaq. Kompania “5D Konstruksion” me pronar në letra vjehrrin e vëllait të drejtorit Mariglen Qato, ka marrë leje ndërtimi dhe në Durrës. Në foton e mëposhtme, është projekti i një hoteli që ka për ndërtues kompaninë e drejtuar nga Muhamet Petriti, me sipërmarrës “Mediterrinan Investment Group”.

Lexo më shumë  Shefja e Parlamentit të BE-së: Gjermania duhet t’ia dërgojë Ukrainës raketat Taurus

Belind Këlliçi në denoncimin e tij thotë se, Mariglen Qato bashkë me Redi Mollën dhe Elvin Tivarin, dy bashkëpunëtorët e tij të ngushtë dikur në UKT dhe tashmë punonjës të “Tirana DC” dhe të lidhur me Bashkinë e Tiranës, po ndërtojnë hotel me vlerë 15 milionë euro.

Dosja “5D” është quajtur e tillë për shkak të përfshirjes në të të 5 drejtorëve të rëndësishëm të Bashkisë së Tiranës, duke përfshirë Mariglen Qaton, Redi Mollën, Elvin Tivarin, Taulant Tushën. Mes këtyre emrave është dhe një drejtor tjetër shumë i rëndësishëm në Bashkinë e Tiranës.

Në media, është deklaruar vazhdimisht nga aktorë publikë dhe politikë, se gjatë ditëve në vazhdim SPAK pritet të dalë me një njoftim zyrtar për këtë dosje, e cila pritet të trondisë themelet e institucionit të drejtuar nga socialisti Erion Veliaj.

YouTube player