Merz e akuzon AfD-në në Bundestag se po promovon “spastrimin etnik”
Kancelari gjerman, Friedrich Merz, në përplasjen e nxehtë parlamentare të së mërkurës (09.09.2026) e ka quajtur kërkesën e AfD-së, së ekstremit të djathtë, për “emigracion masiv” si formë të “spastrimit etnik për shkak të ngjyrës së lëkurës dhe origjinës”, raporton Euronews.
Tre ditë pasi AfD-ja shënoi fitore bindëse zgjedhore ndaj CDU-së së tij, të qendrës së djathtë, në shtetin lindor Saksoni-Anhalt, Merz dhe bashkëkryetarja e AfD-së, Alice Weidel, sulmuan ashpër njëri-tjetrin në parlament.
Merz ka hedhur poshtë kërkesën e partisë Alternativa për Gjermaninë për dëbime masive të azilkërkuesve të refuzuar dhe njerëzve që mbërrijnë nëpërmjet kanaleve të parregullta.
“Fjala ’emigracion’ nuk është gjë tjetër pos sinonim i spastrimit etnik”, ka theksuar Merz për politikën qendrore të AfD-së.
“Migracioni nuk është gjë tjetër pos spastrim etnik për shkak të ngjyrës së lëkurës dhe origjinës”, ka shtuar ai në Bundestag.
AfD-ja fitoi pothuajse 44% të votave në zgjedhjet e së dielës, kundrejt 17% të CDU-së. AfD-ja, e cila për tri mandate nuk e siguroi shumicën absolute, ka deklaruar se tani ishte në bisedime me grupe të tjera dhe deputetë në përpjekje për formimin e qeverisë shtetërore.
Ngritja e AfD-së ka shqetësuar shumë njerëz që mendojnë se Gjermania ka përgjegjësi të veçantë për shlyerjen e së kaluarën së saj naziste.
“Më në ndryshim”
Weidel doli e para në foltore, duke deklaruar se ditët e koalicionit të Merzit “kanë marrë fund “. Njerëzit donin “më në fund një ndryshim kursi në politikë dhe nuk duan ‘punë si zakonisht’”, ka deklaruar ajo.
Ajo gjithashtu denoncoi politikën e qeverisë për imigracionin, duke thënë se e kishte bërë Gjermaninë të pasigurt.
“Qytetarët gjermanë duhet të jetojnë me pasojat e përditshme të migrimit masiv”, ka thënë ajo. “Me dhunë me thika çdo ditë, sulme në trena dhe në stacione, me peizazhe qyteti të rrënuara dhe kërcënuese”.
Duke iu kundërpërgjigjur, Merz ia ka kthyer se politika e imigracionit e AfD-së do të ndikonte masivisht në tregun e punës.
“Asnjë shtëpi kujdesi nuk mund të funksiononte, asnjë spital i vetëm, asnjë restorant i vetëm”, ka paralajmëruar ai. Merz ka akuzuar gjithashtu AfD-në, partinë miqësore me Moskën, për kontribut në atë që e quajti përpjekje ruse “për ta destabilizuar” Gjermaninë, pas sulmit të dështuar me dron në aeroportin e Lajpcigut muajin e kaluar, për të cilin Berlini ka drejtuar gishtin kah Rusia.
“Nuk keni asgjë znj. Weidel, për atë që ndodhi më 4 gusht në aeroportin e Lajpcigut “, ka thënë ai. “Ju jeni pjesë e problemit që kemi këtu në Gjermani”.
Deputetët e zhurmshëm të AfD-së, të cilët shpesh e ngacmonin Merzin, nxitën reagimin e kryetares së Bundestagut, Julia Kloeckner.
“Ne nuk jemi në një fushë futbolli këtu; lëreni këtë për fundjavë”, ka ndërhyrë ajo. “Nëse kjo lloj sjelljeje përsëritet, do t’ju përjashtoj”.
Rruga Press

