Mehaj takon Escobarin: Kosova ka një destinacion, anëtarësimin në BE dhe NATO
Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka thënë se Kosova e ka destinacion final anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe NATO, gjatë një takimi që ka pasur me Zëvendësndihmës sekretarin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, Gabriel Escobar.
Në një njoftim në Facebook, Mehaj ka thënë se me Escobarin është diskutuar për sigurinë në vend e rajon, bashkëpunimin me KFOR-in dhe NATO-s dhe për politikat destabilizuese të Serbisë përmes shpërndarjes së informatave të pavërteta dhe bashkëpunimit me Rusinë dhe presionit të vazhdueshëm që ushtrojnë mbi qytetarët e Kosovës dhe pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës të komunitetit serb, të cilët jetojnë në pjesën veriore të vendit.
Mehaj ka thënë se ka theksuar në takim se Kosova është pro politikave evropiane dhe pro krijimit të ambientit të sigurt për të gjithë qytetarët.
“E njoftova me avancimet e FSK-së, si zbatimin e fazës së Parë të Planit Gjithëpërfshirës të Tranzicionit, të hartuar bashkërisht me ISG ( Institutin për Qeverisje të Sigurisë ) dhe faktin që aktualisht jemi në fazën e dytë të implementimit të këtij plani, bashkëpunimin që e kemi me KFOR-in në monitorimin e gjithë territorit të Republikës së Kosovës, përkrahjen e ofruar për aleatët tanë, shtetet anëtare të NATO-s, në misionin për evakuimin e refugjatëve afganë, si dhe transportimin e ndihmave për popullin ukrainas”, ka thënë Mehaj. “Fatkeqësisht, të njëjtën gjë nuk mund ta themi për palën serbe, të cilët vazhdojnë të mos vendosin sanksione për Federatën Ruse, ndonëse po shohin çdo ditë ashtu si e gjithë bota agresionin rus dhe krimin ndaj popullit ukrainas, duke dëshmuar kështu edhe njëherë më e pakta paaftësinë e tyre për t’u shkëputur nga politikat ruse, nëse jo dhe faktin që e kaluara e Ballkanit Perëndimor nuk ka shërbyer për ta për të nxjerrë mësim, për të kuptuar se rendi i ri në Ballkan është i pandryshueshëm, andaj vendosja e 48 bazave ushtarake afër kufirit të Republikës së Kosovës nuk do e ndryshoj këtë fakt, përveçse shpërfaq hapur një klasë politike të një mendësie të vjetër me pikëpamje shumë larg vlerave demokratike të Bashkimit Evropian, dhe edhe më larg qëllimit të NATO-s”.
Në fund, Mehaj ka thënë se Kosova e ka destinacion final anëtarësimin në BE dhe NATO, “aty ku gjeografisht gjendemi, dhe parimisht ndajmë vlera të përbashkëta, një mision për të garantuar ruajtjen e paqes në vend, rajon dhe më gjerë”.
Rruga Press