Mediumet ndërkombëtare shkruajnë për suksesin historik të Kiana Kryeziut
Kualifikimi historik i Kiana Kryeziut në Lojërat Olimpike ka bërë jehonë edhe në mediat ndërkombëtare.
Gjiganti mediatik, The Washington Post i ka kushtuar një artikull skitares tonë, duke treguar rëndësinë që ka kualifikimi për Kosovën dhe natyrisht për karrierën e saj edhe pse intervista është e realizuar për Associated Press – një tjetër medium i madh.
Më poshtë mund ta lexoni artikullin e mediumit amerikan, kushtuar Kianës:
Gara në sllallomin gjigant në Lojërat Olimpike të Pekinit do të jetë një hap gjigant për 17-vjeçaren Kiana Kryeziu dhe vendin e saj, Kosovën.
Kryeziu është sportistja e parë nga Kosova në Lojërat Dimërore pasi ka përmbushur standardin kualifikues gjatë garave të zhvilluara në Itali.
“Me të vërtetë nuk e prisja që do të ndodhte kaq herët”, tha Kryeziu për Associated Press. “Ishte një nga synimet e mia më të mëdha. Ishte një nga ëndrrat e mia dhe tani gjithçka po bëhet realitet”.
Jo se ka qenë e lehtë, deklaroi ajo, me shumë stërvitje të vështira, si dhe gjetjen e parave për një sport të shtrenjtë.
Kryeziu mbështetjen e saj kryesore financiare e ka pasur nga sponsorët, por është mirënjohëse edhe për ndihmën e federatës së skijimit të Kosovës, Komitetit Olimpik dhe ministrisë së sportit.
Po aq e rëndësishme, “vetëm një telefonatë larg” ishte mbështetja e babait dhe trajnerit të saj.
“Pjesëmarrja e saj në Olimpiadë është arritja më e madhe dhe, kushedi, çdo rezultat i mirë (është i mundur)”, potencoi trajneri i saj, Agim Pupovci.
Visar Kryeziu, babai i Kryeziut, deklaroi se arritja e saj në realizimin e Lojërave Olimpike “na tronditi ne, si dhe gjithë kombin”.
Kryeziu ka filluar të garojë si skiator rreth moshës 10 apo 11 vjeçare.
![](https://www.rrugapress.al/wp-content/uploads/2022/01/Kiana-Kryeziu-1536x1024-1-1024x683.jpeg)
“Dhe pastaj bie në dashuri me të”, bëri të ditur Kryeziu, duke e quajtur atë “pasion dhe lumturi” që atëherë.
Babai i saj, i cili është një fotograf me Associated Press, e pa potencialin.
“E pashë që nëse investoja 10 për qind të kohës për të, kthimi ishte 110%”, shtoi më tej Visar Kryeziu. “Sekreti pas tij është shumë punë, shumë përkushtim, pasioni për sportin dhe përkushtimi”.
Stërvitjet e saj mbaruan buxhetin e familjes, por mbështetja financiare nga sponsorët e lejoi atë të stërvitej në Austri dhe Itali vitin e kaluar.
Ambicia e Kryeziut është që në Pekin të përfundojë jo më shumë se 10 sekonda prapa fituesit. Lojërat Olimpike fillojnë më 4 shkurt.
Adoleshentja tha se qau kur Majlinda Kelmendi (Rio de Zhaneiro 2016) dhe Nora Gjakova dhe Distria Krasniqi (Tokio 2020) fituan medaljet e arta olimpike në xhudo për Kosovën.
Kosova u bë anëtare e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar në vitin 2014.
Pas konfliktit të viteve 1998-99 që vrau rreth 13,000 njerëz dhe përfundoi pasi NATO bombardoi Serbinë për të ndaluar goditjen e saj ndaj shqiptarëve etnikë separatistë, Kosova fillimisht u qeveris nga Kombet e Bashkuara dhe në vitin 2008 shpalli pavarësinë. Nuk njihet nga Serbia.
Kryeziu është në vitin e fundit të shkollës së mesme.
“Të bësh zhonglim me shkollën, sportin, jetën familjare dhe shoqërore është shumë e vështirë”, shton më tej ajo, por “duket se kam arritur të gjej ekuilibrin e përsosur”, përfundon intervista e saj për AP.
Rruga Press