Mediat serbe mbesin megafoni besnik i Rusisë në Ballkan
Rusia të hënën mbrëma njohu pavarësinë e dy republikave të vetëshpallura në territorin ukrainas – Luhanskut dhe Donjeckut. Bota e ka quajtur këtë si shkelje të ligjit ndërkombëtar.
Zonat separatiste me një popullsi kryesisht ruse në Ukrainën lindore morën njohjen nga Vladimir Putini dje. Kështu, vazhdoi shpërbërja e Ukrainës, pasi më 2014, Rusia ia ka aneksuar edhe Krimenë.
Vendet perëndimore, të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe dhe Bashkimi Evropian, e dënuan një veprim të tillë të Rusisë dhe njoftuan për sanksione të ashpra.
Bota e ka pranuar se ka një shkelje të ligjit ndërkombëtar dhe se Ukraina mund të jetë në rrezik më të madh, duke u pushtuar tërësisht nga një pushtim rus.
Megjithatë, pavarësisht nga pozicioni dominues në botë, megafoni më i zhurmshëm i Rusisë është në Ballkan. Mediat serbe u përpoqën të shtrembërojnë plotësisht pamjen nga fushëbeteja dhe madje akuzuan ukrainasit për sulm ndaj Rusisë.
Gazetat “Alo”, “Informer” dhe “Srpski Telegraf” shkruan në ballinat e tyre se Ukraina ishte fajtorja, se sulmoi e para Rusinë. Po ashtu përdorën Putinin për të fantazuar për pretendimet e tyre ballkanike.
Edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se presioni ndaj Serbisë për shkak të ngjarjeve në Ukrainë do të jetë në rritje. Pse? Sepse Serbia ndjek një politikë të tillë ku nuk dëshiron të ofendojë Perëndimin, por në të njëjtën kohë dëshiron marrëdhënie të shkëlqyera me Rusinë. Në situatën kur do të kërkohen sanksione për Rusinë, do të ketë shumë presion ndaj Serbisë, por nuk duhet harruar se edhe kjo situatë përdoret nga autoritetet serbe për fushatë elektorale për zgjedhjet e prillit. / Portali klix.ba
Rruga Press