Lajme

Mediat italiane: Gjykata Kushtetuese “dush të ftohtë” për Ramën dhe Melonin

Gjykata Kushtetuese vendosi sot të pezullojë ratifikimin për marrëveshjen e refugjatëve me Italinë në Kuvend. Padia e bërë nga 30 deputetë të opozitës do të shqyrtohet më 18 janar. Mazhoranca kishte planifikuar që marrëveshja të votohej në Kuvend të enjten e 14 dhjetorit. Lajmi ka marrë një vëmendje të madhe të mediave kryesore italiane.

Gazeta “La Repubblica” shkruan se vendimi i Kushtetueses për pezullimin e ratifikimit të marrëveshjes erdhi pas dy ankesave të bëra nga Partia Demokratike e Tiranës dhe nga deputetë pranë ish-kryeministrit Berisha. “Ankesa e pranuar pretendon se marrëveshja bie ndesh me Kushtetutën dhe konventat ndërkombëtare të cilave Shqipëria aderon”, – shkruan gazeta.

Ajo nënvizon se vendimi vjen në të njëjtën ditë kur në Bruksel u publikua letra drejtuar krerëve të BE-së nga Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, për zbatimin e planeve të migracionit ku një pasazh i referohej pikërisht marrëveshjes Romë-Tiranë: “Kemi parë nisma të rëndësishme të drejtuara nga shtetet anëtare, siç është marrëveshja operacionale mes Italisë dhe Shqipërisë. Ai përbën një shembull të të menduarit jashtë kornizës, bazuar në ndarjen e drejtë të përgjegjësive me vendet e treta në përputhje me detyrimet sipas ligjit ndërkombëtar dhe të BE-së”, – thuhej në të.

Lexo më shumë  Kurti: Jemi të hapur të adresojmë shqetësimet e mediave

“La Stampa” e quan këtë vendim si një “dush të ftohtë”, për qeverinë Meloni, pikërisht në ditën kur kryeministrja italiane mori mbështetjen e plotë nga presidentja e Komisionit Evropian von der Leyen. Edhe “Corriere della Sera”, ka pasqyruar në faqen e saj të parë lajmin e se Gjykata Kushtetuese pezulloi ratifikimin e marrëveshjes Meloni-Rama për emigrantët.

“Ansa” ka ndarë edhe informacione nga burimet pranë Këshillit të Ministrave në Itali. “Burime sqarojnë se nuk duan të komentojnë vendimin e Gjykatës shqiptare, pasi është një vendim i një gjykate kushtetuese të një vendi të tretë. Në të njëjtën kohë, megjithatë, nënvizohet se nuk ka asnjë shqetësim për ndonjë vonesë në zbatimin e Memorandumit, për ratifikimin e të cilit Kuvendi i Tiranës do të presë tashmë vendimin e Gjykatës”, – shkruan ANSA. 

Lexo më shumë  Rusët i futen tregut të pronave në Shqipëri, zyra biznesi në zonat bregdetare

Rruga Press

YouTube player