Lajme

Media Gjermane: Perëndimi nuk duhet të bjerë në kurthin e Serbisë

Gazeta gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung” ka shkruar se si Perëndimi po bie në kurth të Serbisë dhe po beson se “çelësi i stabilitetit në Ballkan Perëndimor qëndron në Beograd”. 

Në një vështrim, gazetari Michael Martens, ka treguar se si presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, po dëshiron të vendosë parakushte anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës dhe njëkohësisht ta bëjë të pamundur plotësimin e tyre. 

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës të martën miratoi raportin e raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis, për anëtarësimin e Kosovës në Këshill. 

Me 131 vota pro u miratua raporti, ndërsa 29 ishin kundër. Hapi i radhës dhe i fundit do të jetë te Këshilli i Ministrave, që mbahet në mesin e majit. 

Gazetari Martens ka treguar se si anëtarësimi i Kosovës në Këshill të Evropës do të kontribuonte në stabilizimin e Ballkanit Perëndimor. 

“Përparësitë janë të dukshme: Nëse Kosova dëshiron t’i bashkohet Këshillit të Evropës, atëherë të gjithë qytetarët e shtetit më të ri të Evropës do të kenë qasje në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut, ku ata mund ta padisin qeverinë e tyre. Kjo është veçanërisht e rëndësishme për minoritetin serb në Kosovë, kur bëhet fjalë për mbrojtjen e të drejtave të tyre”, thuhet në vështrimin. 

Lexo më shumë  Bislimi: Ne duhet të jemi gati për luftë

Martens ka thënë se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e ka vërejtur se Kosova është në një kurs lëvizjeje dhe po tenton ta bllokojë. 

“Prandaj, ai po përpiqet me të gjitha mjetet të ndikojë në shtetet evropiane, në mënyrë që së paku të shtyjë votimin e paraparë në maj. Nuk është rastësi se ai udhëtoi në Paris për të porositur avionë luftarakë francezë”, ka thënë Martens.

Martens ka treguar edhe se si edhe kryeministri hungarez, Viktor Orban, që njihet si aleat i Vuçiqit, po lobon edhe tek Italia. 

“Deklaratat bërë nga deputetët italianë në Këshillin e Evropës janë dëshmi për këtë”, ka shkruar Martens. 

Madje ai ka thënë se edhe në Berlin disa po bien pre e idesë se Vuçiqi është çelësi i stabilitetit në Ballkan. 

“Duhet të shikosh më larg për të vërejtur se si politika e Beogradit po arrin të kundërtën e stabilitetit. Mashtrimi i fundit i Beogradit është shumë i lehtë të shihet. Serbia po mundohet të arrijë një shumicë që mbështesin qëndrimin se Prishtina duhet së pari të pajtohet për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe para se të pranohet në Këshill të Evropës. Në të njëjtën kohë, megjithatë, po e bllokon sistematikisht formimin e këtij asociacioni, së fundi duke njoftuar për bojkotin e zgjedhjeve të reja në katër komuna me shumicë serbe në veri të Kosovës. Me fjalë të tjera, Serbia dëshiron t’i vendoset një parakusht Kosovës, të cilin njëkohësisht po e bën të pamundur që të përmbushet”, ka shkruar Martens. 

Lexo më shumë  Kurti: Strategjia për ujë siguron menaxhim me nevojat shtetërore

Gazetari i njohur gjerman ka shkruar po ashtu se si raportuesja greke, Dora Bakoyannis, ndonëse vjen nga një shtet që nuk e njeh Kosovën, e ka vërejtur qëllimin e Beogradit dhe ka folur haptazi kundër këtij kryqëzimi dhe ka shtyrë para aplikimin e Kosovës drejt Këshillit të Evropës. 

Por, Martens ka thënë se disa qeveri ende janë në dyshim nëse duan të miratojnë kërkesën e Kosovës për anëtarësim. 

“Të paktën në disa kryeqytete perëndimore, kjo duket se bazohet te një keqkuptim i moçëm që ka shkaktuar telashe në të kaluarën: pikëpamja se Serbia, si shteti relativisht më i madh nga shtetet e vogla të Ballkanit Perëndimor, është faktori vendimtar për stabilitet në rajon, dhe që duhet qetësuar me çdo kusht”, ka shkruar Martens.

Rruga Press

YouTube player