Me urdhër të SPAK, hetuesit “mësyjnë” në Bashkinë e Tiranë dhe sekuestrojnë dokumente
Agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit raportohet se kanë shkuar mëngjesin e kësaj të premteje në ambientet e Bashkisë së Tiranës, institucion i drejtuar nga socialisti Erion Veliaj. Një numër dokumentesh janë sekuestruar, gjithashtu.
CNA Media bën me dije se agjentët më urdhër të Prokurorisë së Posaçme kanë shkuar në zyrat e Bashkisë së Tiranës ku ndodhej drejtoria e drejtuar nga Taulant Tusha, Drejtoria e Shërbimeve Mbështetëse.
Ky i fundit, i cilësuar si krahu i djathtë i kryebashkiakut Erion Veliaj, ndodhej prej javësh i arrestuar nga SPAK për inceneratorin e Tiranës. Siç bëhet me dije, një numër dokumentesh të rëndësishme janë sekuestruar në drejtorinë që drejtohej nga Tusha, por kontrolli ka vijuar dhe në zyra të tjera.
Agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit kanë marrë dokumente dhe të dhëna të tjera dhe nga sektorë të tjerë në Bashkinë e Tiranës, lidhur me disa dosje të nxehta që janë nën hetim nga SPAK dhe “fijet” të çojnë në institucionin e drejtuar nga Veliaj.
Po ashtu, një nga rastet të cilat dyshohet se është nën hetim nga SPAK dhe pritet që në ditët në vazhdim të dilet me një vendim zyrtar, është dhe ajo e dosjes “5D”, ku bëhet fjalë për pesë drejtorë të Bashkisë së Tiranës, kallëzuar nga politikani Belind Këlliçi.
Rruga Press