Më shumë se 30 vende të gatshme për të dërguar trupa në Ukrainë për të siguruar paqen
Më shumë se 30 vende do të përfshihen në “koalicionin e vullnetarëve”për të ndihmuar në përfundimin e luftës në Ukrainë.
Të shtunën, liderët nga 26 vende perëndimore – plus dy liderë të BE-së dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s – u mblodhën për një telefonatë virtuale të organizuar nga kryeministri britanik, Keir Starmer, pasi presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, pranoi një marrëveshje të përkohshme armëpushimi 30-ditore.
Ai tha se shefat ushtarakë do të takohen të enjten për të diskutuar “fazën e ardhshme operative” për mbrojtjen e Ukrainës si pjesë e një force paqeruajtëse nëse mund të arrihet një marrëveshje paqeje me Rusinë, shkruan skynews.
Ndërsa të hënën, zëdhënësi i kryeministrit zbuloi se ata tani presin që “më shumë se 30” vende të përfshihen në koalicion – por nuk zbuloi se cilat vende të tjera ishin bashkuar që nga e shtuna.
Bëhet e ditur se vendet do të kenë role të ndryshme dhe jo të gjitha do të përfshijnë dërgimin e trupave për të qenë pjesë e një force paqeruajtëse, pjesë e së cilës Starmer dhe udhëheqësi francez Emmanuel Macron kanë thënë se Mbretëria e Bashkuar dhe Franca do të jenë pjesë.
“Koalicioni i vullnetarëve, ne presim që më shumë se 30 vende të përfshihen”, tha zëdhënësi.
Ai tha gjithashtu se nuk e dinte nëse SHBA do t’i bashkohet takimit të shefave ushtarakë të enjten, por tha se Mbretëria e Bashkuar ka “diskutime të rregullta me homologët amerikanë”.
Raportohet se udhëheqësit e përfshirë në thirrjen e së shtunës ishin nga: Australia, Belgjika, Bullgaria, Kanadaja, Republika Çeke, Danimarka, Finlanda, Franca, Gjermania, Greqia, Islanda, Italia, Letonia, Lituania, Luksemburgu, Holanda, Zelanda e Re, Norvegjia, Polonia, Portugalia, Rumania, Spanja, Suedia, Turqia, Ukraina dhe Britania e Madhe.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte, Presidentja e Komisionit të BE-së Ursula von der Leyen dhe presidenti i Këshillit të BE-së Antonio Costa gjithashtu u bashkuan.
Rruga Press