Sport

Më shumë ndeshje, më shumë show, UEFA prezanton Championsin e ri

UEFA ka prezantuar zyrtarisht formatin e ri të Champions League duke nisur nga sezoni 2024-2025, një format risi, me shumë ndeshje, më shumë spektakël dhe me shumë rivalitet.

Të paktën kështu shpresojnë drejtuesit e këtij institucioni.

Skuadrat pjesëmarrëse do të jenë 36, me kampionatet më të rëndësishme që ashtu si aktualisht kanë nga 4 skuadra, por me një risi, pasi klasifikimi sezonal i UEFA-s do t’u dhurojë nga një skuadër më shumë dy kampionateve më të mira, aktualisht kryesohet nga Italia.

Në grup, ku do të jenë të 36 skuadrat, çdo ekip do të luajë 8 ndeshje, ndryshe nga 6 që luan tani. Nuk do të ketë sfida me sistemin vajtje ardhje, por 8 kundërshtarë të drejtpërdrejtë që do të përcaktohen nga shorti që do të hidhet në gusht në Montecarlo.

Në short 36 skuadrat do të ndahen në 4 vazo me nga 9 ekipe, në bazë të klasifikimit për klube, ku skuadrat kampione do të jenë në vazon e parë.

Çdo skuadër do të shortohet nga dy kundërshtarë nga çdo vazo, me njërën prej të cilave do të përballet në shtëpi ndërsa me tjetrën në transfertë.

Pasi të kenë mbaruar ndeshjet e grupit, 8 skuadrat që do të jenë të parat në renditje kualifikohen direkt për në 1/8. Skuadrat nga vendi i 9-të deri në të 16-in, do të përballen me ato nga vendi i 17-të deri në të 24-in, në playoff.

Tetë fitueset e play off do të bashkohen me 8 skuadrat që ishin renditur të parat, ndërsa 8 skuadrat humbëse eliminohen, ashtu si dhe ato që në grup ishin renditur nga vendi i 25-të në të 36-in.

Një tjetër risi është se nuk do të ketë një kalim në Europa League si më parë për vendet e treta në grupe, pasi skuadrat që eliminohen janë direkt jashtë Kupave të Europës. 16 skuadrat e mbetura do të sfidohen pastaj në 1/8, çerekfinale, dhe gjysmëfinale me ndeshje vajtje-ardhje, deri në finalen unike, gjithmonë sipas një tabele me ndërthurje të përcaktuara që në fillim si në tenis. Do të ketë vetëm një short në Championsin e ri, ai i gushtit. Për skuadrën që shkon deri në finale do të ketë në total 15 ndeshje, 17 për ato që kalojnë nga play-offi.

YouTube player