Lajme

Me marshin e ‘kërmillit’ / Kompanitë shqiptare 3 herë më pak produktive se Rajoni

 Nëse do t’u referoheshim marsheve të politikës industriale, Shqipëria ka ecur me më të ulëtin, atë të “zvarritjes së kërmillit”. Përveçse vuan nga produktiviteti i ulët, që prej vitit 2014, vendi po përjeton një rënie të tij. Sipas vlerësimeve të produktivitetit, midis viteve 2014 dhe 2016, rritja e produktivitetit ishte e ulët ose negativ, thuhet në studimin “Shtegu i Ngushtë i Zhvillimit” të fondacionit gjerman “Friedrich Ebert” me autorë Irena Beqiraj dhe Knidi Bashari.

Duke studiuar sjelljen e treguesit të produktivitetit autorët kanë gjetur se vlera e shtuar për punëtor, dhe Faktori Total i Produktivitetit (TFP), kanë përjetuar një rënie në periudhën 2014–2016. Vlera e shtuar për punëtor ra me 6% në prodhim dhe me 2% në shërbime, e po kështu edhe TFP-ja, duke shënuar një rënie prej 1% në prodhim dhe 6% në shërbime.

Të dhënat në nivel firme konfirmojnë se produktiviteti në Shqipëri është i ulët krahasuar me BE-në dhe vendet fqinje. Vlera e shtuar për një punëtor, si një nga matësit e produktivitetit, konfirmon se kompanitë shqiptare janë rreth 3 herë më pak produktive sesa kompanitë e Maqedonisë së Veriut dhe 7–10 herë më pak produktive se një kompani mesatare e BE-së.

Produktiviteti relativ është veçanërisht i ulët në sektorët e prodhimit (vlera e shtuar për punëtor është sa 8% e firmës mesatare në BE) dhe, në sektorët hoteleri dhe restorante, vlera mesatare e shtuar për punëtor është sa 9% e firmës mesatare në BE. Tregtia, transporti dhe TIK-u kanë nivele më të larta të produktivitetit relativ, por megjithatë mbeten të ulëta në krahasim me rajonin dhe BE-në.

Lexo më shumë  OBSH: Shqipëria ka numrin më të ulët të mjekëve për banorë në Evropë

Krahasuar me vendet e rajonit, Shqipërisë i mungon punësimi në industri me intensitet të lartë dhe sofistikim teknologjik. 80% e fuqisë punëtore në sektorin formal të prodhimit punon në sektorë me intensitet të ulët teknologjik (p.sh., në prodhimin e ushqimeve dhe pijeve, tekstileve dhe veshjeve, prodhimet e drurit dhe të mobiljeve) dhe 17% në industrinë me intensitet teknologjik të mesëm dhe të ulët (p.sh.: metale, materiale, minerale, instalim pajisjesh).

Punësimi në industrinë me intensitet teknologjik të mesëm (p.sh.: automjete, kimikate, makineri dhe pajisje) dhe në industrinë e teknologjisë së lartë (p.sh.: kompjutera dhe elektronikë, farmaceutikë) është i papërfillshëm. Pjesa e punësimit në industritë e teknologjisë së mesme të lartë është dukshëm më e lartë në Kroaci, Maqedoninë e Veriut dhe Serbi, referon studimi.

Rritja e punësimit, e kombinuar me rritjen produktive negative, sugjeron që vendet e punës janë krijuar nga firma më pak produktive. Kjo do të thotë që kapitali dhe puna nuk po drejtohen nga aktivitetet produktive. Së dyti, punësimi nuk lidhet me firmat që kanë adoptuar praktikat më të mira menaxheriale, që tentojnë të rritin aftësitë e punëtorëve dhe të drejtimit. Punësimi ka karakteristikat e një “force punëtore të fshehur”, e cila nuk ndihmon rritjen.

Lexo më shumë  Vendosja e kamerave të sigurisë në veri, Elshani: Do të krijojmë një klimë të sigurisë më të madhe te qytetarët

Ekonomia shqiptare është e bllokuar në statusin e ekonomisë me produktivitet të ulët jo vetëm si rezultat i shtrembërimeve që rrjedhin nga dështimet e qeverisë, por edhe si rezultat i dështimeve të tregut dhe dështimeve të tjera më komplekse, si dështimet e koordinimit të eksternaliteteve të lidhura me procesin e të mësuarit dhe të shpërndarjes së njohurive, si dhe nga fragmentarizimi i tej

Studimi sugjeron se për të përmirësuar strukturën e përgjithshme industriale të vendit, politika industriale duhet të përqendrohet në dy lloje përmirësimesh: hyrja në industri të reja dhe përmirësimi i segmenteve me vlerë të lartë në industritë ekzistuese.

Për një ekonomi të vogël është e rëndësishme të identifikohen produktet dhe sektorët që janë në përputhje me strukturat aktuale dhe avantazhin konkurrues dhe produktet apo sektorët që po rriten në mënyrë dinamike në të gjithë globin për shkak të tendencave aktuale dhe të ardhshme të konsumit. (MONITOR)

YouTube player